Zhvillimet e fundit në dialog me Serbinë, Kurti sot takon Abdixhikun e Haradinajn

86
zhvillimet-e-fundit-ne-dialog-me-serbine,-kurti-sot-takon-abdixhikun-e-haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takojë liderët e opozitës, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim do të jetë prezent kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa ftesën e ka refuzuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi, në letrën që i ka kthyer kryeministrit Kurti, ku i ka thënë se mund të takohen vetëm për diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë.

Ai ka thënë se qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent.

“Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, thuhet në letër.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se pranon ftesën për shkak se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore.

“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, shkroi ai në Facebook.

Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Kurti dje u bëri thirrje krerëve opozitarë për t’u takuar dhe për t’i informuar për takimin e fundit që zhvilloi në Bruksel me preisdentin Aleksandër Vuçiq, me ç’rast deklaroi se dallimet e mospajtimet politike që kanë mes vete pozitë e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror.