Ministri i jashtëm serb: Kuba jo vetëm që s’e njeh Kosovën, por është më e zëshmja në kundërshtime

106
ministri-i-jashtem-serb:-kuba-jo-vetem-qe-s’e-njeh-kosoven,-por-eshte-me-e-zeshmja-ne-kundershtime

Selakoviç: Kuba jo vetëm që s’e njeh Kosovën, por është më e zëshmja në kundërshtime.

Kundërshtimin e Kubës ndaj pavarësisë së Kosovës, ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviç e falënderoi me theks të veçantë si “kundërshtim aktiv” ndryshe nga shtetet tjera mosnjohëse, transmeton “Reporteri.net”.

Selakoviç tha se Kuba nuk është kundër pavarësisë së Kosovës “vetëm si dikush që ngrit dorën duke votuar kundër në organizata ndërkombëtare”.

“Mbështetja e Kubës nuk është thjesht parimore, por edhe tejet aktive. Në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare ku aplikon Prishtina, miqtë tonë kubanë nuk janë si dikush që vetëm çojnë dorën lartë për të votuar kundër, por edhe dalin shprehen duke ngritur vëmendjen se sa e rëndësishme është të ruhet rendi ligjor ndërkombëtar”, tha Nikolla Selakoviç.

Në takimin me homologun kuban të tij në Beograd, Bruno Rodriguez Parilla, ai falënderoi shtetin e Kubës për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Mes tjerash, sipas komunikatës së ministrisë së jashtme serbe, Selakoviç tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po investon në gjetjen e një zgjidhje kompromisi me Kosovën.

Kuba kishte kundërshtuar pavarësinë e Kosovës duke e quajtur “veprim jolegjitim”, derisa Serbia ia kthente favorin në Kombe të Bashkuara ku dënonte embargon e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës.

Shtetet e Bashkura të Amerikës në embargon kundër Kubës – që është embargo më e gjatë në periudhën moderne – i ndalon bizneset amerikane të bëjnë tregti sipas interesave kubane.