Rigjykimi për vrasjen e dyfishtë, dëshmitari mohon se kishte parë të akuzuarin duke shkuar në mal

197
rigjykimi-per-vrasjen-e-dyfishte,-deshmitari-mohon-se-kishte-pare-te-akuzuarin-duke-shkuar-ne-mal

Dëshmitari Shkelzen Berisha, familjarë i të ndjerëve Arsim dhe Ramiz Berisha ka sqaruar para trupit gjykues se në natën kritike nuk kishte parë të akuzuarin Binak Panxha dhe vëllezërit e tij, duke u ngjitur në malin ku ishin gjetur të vrarë viktimat.

Një deklarim të tillë, dëshmitari e ka dhënë në seancën e rishqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Binak Panxha, derisa përgjigjej pyetjet e të mbrojtësit të këtij të fundit, avokatit Besnik Berisha, në të cilin proces Panxha po akuzohet për vrasjen e dyfishtë në Kosuriq të Pejës në vitin 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari, po ashtu pohoi se i akuzuari Panxha e kishte ruajtur malin e tij pasi për të shkuar në mal duhej të kalonte kah shtëpia e dëshmitarit Shkelzen, mirëpo në natën kritike thotë se nuk e kishte parë të akuzuarin dhe vëllezërit e tij duke shkuar në mal.

“Jo, s’i kam parë as atë e as vëllezërit e tij”, tha dëshmitari.

Para trupit gjykues, dëshmitari tha se ishte i akuzuari Binak Panxha i cili kishte kryer vrasjen, pasi gjaku i trupave të ndjerë ishte në malin e familjes Panxha dhe ishin tërhequr zvarrë deri në një mal tjetër për t’i mbuluar gjurmët.

Avokati Berisha kërkoi të dinte se përse dëshmitari nuk kishte menduar se dikush tjetër e kishte kryer vrasjen e tani të ndjerëve, pasi familja Berisha ishte në hasmëri me dy familje ku kishin mbetur i vrarë vëllezërit dhe babai i të ndjerëve.

“Duke qenë se familja e Berishëve ka qenë në hasmëri, pse nuk të shkoi mendja se dikush ka mujt m’i përcjell në mal edhe m’i ekzekutu tek mali, po të shkoi mendja se dikush i ka vra për prerjen e malit edhe si ka thënë nëna Shake se asnjë dru nuk është pre në mal”, pyeti avokati Berisha.

Në lidhje me këtë, dëshmitari sqaroi se ai nuk merret me deklaratat e të dëmtuarës Shake Berisha.

Avokati Berisha e pyeti dëshmitarin se nëse viktimat ishin gjetur në malin e dikujt tjetër, a do të ndërronte mendimin se i akuzuari ishte kryerës i veprës.

Lidhur me këtë, dëshmitari sqaroi se viktimat ishin tërhequr zvarrë nga mali i Panxhajve deri në malin tjetër.

Për natën kritike, dëshmitari sqaroi se dëshmitari Jetlir Gashi së bashku të dëmtuarën Shake Berisha ishin nisur në mal për të kërkuar tani të ndjerët dhe kishin hasur në pellg të gjakut.

“Në atë moment kemi shkuar kah ka shkuar Ramizi dhe kemi gjetur gjakun në tokë, i cili ishte gjaku i Ramizit dhe i thash Jetlirit mos ta sheh Shakja. Po Shakja e pau dhe e preku gjakun me duart e veta”, tha dëshmitari.

Tek pellgu i gjaku nuk i kishin gjetur viktimat, mirëpo dëshmitari shtoi se pellgu i gjakut ishte në malin e Panxhajve dhe me atë rrugë kishin shkuar në drejtim të shtëpisë së Xhavit Panxhës, vëllait të Binak Panxhës.

Dëshmitari sqaroi se kishte dalë nga shtëpia Xhavit Panxha dhe iu kishte thënë vëllezërit e tij nuk kishin të bënin me këtë vrasje.

“Më tha se nuk i intereson puna e malit. Unë i thash mos të interesoftë ty thirre Binakun. Më tha se Binaku është shku në Pejë nuk është këtu. Unë i thash më pas se ju e keni vra, e kurrë këtë krim nuk mund ta mbuloni”, shtoi dëshmitari.

Tutje sqaroi se dëshmitari Jetlir nuk i kishte thënë as natën kritike e deri sot se kush i kishe vrarë tani të ndjerët Berisha.

Dëshmitari shtoi se nuk kishte njohuri të drejtpërdrejtë për rastin kritik gjatë ndodhjes së vrasjes, por vetëm ato çfarë i kishte treguar dëshmitari Jetlir.

Seanca e radhës u caktua më 29 shtator 2022.

Ndryshe, më 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit, me 23 vite burgim efektiv, e kishte gjykuar të akuzuarin Binak Panxha për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Ramiz e Arsim Berisha në pyllin e familjes Panxha.

Gjykata e Apelit e mori këtë vendim pasi ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit të angazhuar në shkallën e dytë, avokatit Besnik Berisha, por edhe sipas detyrës zyrtare ka gjetur se vendimi gjyqësor ishte i përfshirë në shkelje procedurale.

Ndryshe, më 16 shkurt 2021, Panxha është gjykuar me 23 vite burgim efektiv. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, në dënimin e të akuzuarit llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Aktakuza e ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Binak Panxhën se më 21 korrik 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të akuzuarit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drunj në pyllin e të akuzuarit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre së bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirrë tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.

Me çka, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’ Vrasje e rëndë”, nga nenit 179, par.1, lidhur me pikën 1.11 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënmi me burgim jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm.