Ekspertët: Destabilizimi i veriut është i “pamundur” – kriza ekonomike e paevitueshme

37
ekspertet:-destabilizimi-i-veriut-eshte-i-“pamundur”-–-kriza-ekonomike-e-paevitueshme

Institucionet e sigurisë në vend e kanë dëshmuar se janë të gatshme të menaxhojnë situata nga më të ndryshmet kur është cenuar rendi dhe stabiliteti, sidomos në veri të vendit, vlerësojnë ekspertë të kësaj fushe.

Madje ata thonë se siguria është në nivel, sipas tyre institucionet vendore të sigurisë dhe KFOR janë të pagatitura për çfarë do lloj sfide, por thonë se si pasojë e invazionit rus në Ukrainë, në verë parashihet krizë ekonomike në Kosovë.

Ata pohojnë se vizita e delegacioneve amerikane, është jetike dhe e domosdoshme për ta rikonfirmuar mbështetja e ShBA-së për Kosovën.

Drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare të Sigurisë, Bedri Elezi në një intervistë për Ekonomia Online tha se ka pasur gjithmonë përpjekje nga Serbia për destabilizim në veri të Kosovës.

Por sipas tij, destabilizimi i veriut është i “pamundur”, edhe pse thotë se sulme mund të ketë, por që institucionet përgjegjëse janë të gatshme ta evitojnë përshkallëzimin e situatës.

“Sa i përket çështjes së destabilizimit, mendoj se gjithmonë në vazhdimësi ka pasur përpjekje nga Serbia përkatësisht e mbështetur nga Rusia që të kemi destabilizim në veriun e Kosovës. Por unë besoj fortë se institucionet tona të sigurisë dhe KFOR kanë gatishmërinë e tyre të ngritur në nivelin më të lartë të mundshëm dhe do ta tejkalojnë këtë sfidë edhe pse sulmet të tilla nuk është që mund të mos ketë, por besoj se tani më ka një strukturë mirë të organizuar dhe besoj që do të arrihet që të evitohen eventualisht përshkallëzimi i situatës në veriun e Kosovës”.

Madje ai thotë se në këtë aspekt do të ndikojë edhe vizita e delegacioneve amerikane në Kosovës, që kanë rikonfirmur mbështetjen për Kosovën.

“Është një e mirë që ka ndodhur ditëve të fundit në Kosovë. Kemi pasur një prezencë, një grup apo delegacione të rëndësishme të Qeverisë së ShBA-së të cilët jo vetëm se kanë ardhur fizikisht po edhe deklaratat e tyre kanë qenë shumë serioze. Kanë ripërsëritur që Kosova është e garantuar nga KFOR dhe ShBA-të”.

Por Elezi thotë se kriza ekonomike po “toket në derë”, madje do të thellohet pasi Ukraina ka qenë një furnizuese e disa produkteve në Evropë e Ballkan.

“Sigurisht se kriza ekonomike po ‘troket në derë’, për arsye të shumta. Ne e kemi parë që si rezultat i luftës në Ukrainë kemi pasur një ndryshim të madh në tregjet globale. Sigurisht që Kosova është një treg i vogël dhe lehtësisht preket në këtë treg dhe natyrisht që kriza ekonomike do të thellohet edhe më shumë kur marrim parasysh që Ukraina ka qenë një furnitor i madh i Evropës po ashtu edhe Ballkanit me disa produkte atëherë mund të pritet. Por një njëkohësisht ka disa sinjale pozitive nga vendet e caktuara të cilat mund t’i zëvendësojnë ato boshllëqe të cilat eventualisht Ukraina mund t’i krijoj”.

Edhe eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet e sigurisë më vend së bashku me faktorin ndërkombëtarë janë të përgatitura për çfarë do lloj skenari të mundshëm që mund të zhvillohet në territorin e Kosovës.

“Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës në bashkërendim edhe me faktorin ndërkombëtar duke shkëmbyer informacionet relevante kanë ardhur në përfundim që gjendja është stabile e monitorueshme, e kontrollueshme nga institucionet e sigurisë së Kosovës. Kjo e jep indikacionin që në aspektin preventiv jemi të përgatitur sa i përket ndonjë eskalimi të mundshëm në përmasa më të gjera që i kemi pa deri më tani. Por në aspektin taktiko-operacional mendoj që institucionet janë të përgatitura për çfarë do skenari të mundshëm që mund të zhvillohet kudo në territorin e Republikës së Kosovës nga kushdo që mund të jetë sponsor i këtij skenari”.

Shala thotë se kriza politike, sociale, ekonomike mund të përzihen me krizën e sigurisë ku mund të afektohet edhe siguria e qytetarëve, ai thotë se mund të ketë destabilizim në aspektin ekonomiko-social.

“Kriza ekonomike, kriza sociale mund të përzihet me krizën politike, me krizën e sigurisë dhe kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të afektohet siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kështu mund të ketë një destabilizim në aspektin ekonomiko-social”.

Sa i përket ardhjes së dy delegacioneve amerikane në Kosovë, njohësi i sigurisë për EO tha se vizita të tilla janë të domosdoshme në mënyrë që siguria territoriale e Kosovës të moscenohet.

“Ardhja e dy delegacioneve në Republikën e Kosovës e tregon edhe faktin që ShBA e kanë jetike, është esenciale, e domosdoshme, siguria apo integriteti territorial i Kosovës të mos cenohet. Në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në takimet që është biseduar me presidencën po edhe në takimet me krerët e tjerë institucional është potencuar që në qoftë se cenohet integriteti territorial i Kosovës është cenuar siguria nacionale e ShBA-së”.