Këto janë mesazhet që përcolli Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit gjatë vizitës në Kosovë

40
keto-jane-mesazhet-qe-percolli-ndihmes-sekretarja-amerikane-e-shtetit-gjate-vizites-ne-kosove

Sot Kosova ka pasur vizitorë shumë të rëndësishëm.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë të hënën, 25 prill, se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, sepse status-quoja është e paqëndrueshme.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Ajo ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces.
Donfried ka biseduar për këtë proces edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se me zyrtaren amerikane ka biseduar për urgjencën dhe nevojën për përparim në dialog, ndonëse ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë nuk duhet të përcaktohen nga dialogu me Serbinë.

“Ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohje reciproke, dhe nga ajo do të përfitojnë qytetarët tanë”.

Osmani po ashtu ka thënë se gjatë diskutimeve ka përmendur “zhgënjimin për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga SHBA”.

Më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Donfried ka thënë se viziton Ballkanin Perëndimor në një kohë sfiduese, duke iu referuar luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.

Mes tjerash, zyrtarja amerikane ka thënë se dëshiron të sigurojë secilin qytetar të Kosovës – që mund të jetë i shqetësuar për situatën e sigurisë – se SHBA vazhdon të mbetet aleate e fuqishme dhe ka përmendur KFOR-in (misionin paqeruajtës të NATO-s), si manifestim i përkushtimit amerikan për sigurinë në Kosovë.

Kurti ka thënë se për ruajtje të paqes dhe stabilitetit afatgjatë, është e domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Donfried, ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt institucioneve evropiane dhe euro-atlantike.

“Është shumë e rëndësishme dhe urgjente të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë të bëjnë reformat e domosdoshme për konsolidimin demokratik dhe integrimin e tyre në institucionet evropiane dhe euro-atlantike”.

Përveç fushës së sigurisë, ajo ka përmendur përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën edhe në fusha tjera.

“Është e qartë për mua se resursi kryesor i Kosovës është po ashtu diçka që duhet të mbrohet, fuqia juaj e re punëtore dhe inovative. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju derisa zgjeroni ekonominë tuaj, zgjeroni integrimin rajonal dhe ndërtoni një sektor të energjisë të fuqishëm dhe divers”.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor nga 25 deri më 29 prill.

Ajo është e shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe zyrtarë tjerë amerikanë.

Pas Kosovës, ajo viziton Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Javën e kaluar, Kosovën e ka vizituar edhe një delegacion senatorësh amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis.

Ata kanë thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.