Kurti jep intervistë për televizionin portugez: Serbia po armatoset për luftëra

36
kurti-jep-interviste-per-televizionin-portugez:-serbia-po-armatoset-per-luftera

Portugalia vazhdon ta përkrahë Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpeshtuar intervistat në televizionet ndërkombëtare.

Pasi pati një paraqitje në CNN, Kurti ka dhënë një intervistë për Televizionin Publik të Portugalisë RTP.

Kurti në këtë intervistë e ka konsideruar Portugalinë si një vend mik dhe aleat që mund të ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve, sidomos në raport me Spanjën.

Edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe furnizimin me armë që kjo e fundit i ka bërë fqinjit verior të Kosovës, ishin ndër temat që i shtroi Kurti në televizionin portugez.

“Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe BE me urgjencë”, ka thënë Kurti. Ai thotë se tani ky anëtarësim është domosdoshmëri për shkak të kërcënimeve që paraqet Rusia për Ballkanin, përmes Serbisë.

“Rusia po mundohet ta shfrytëzojë Serbinë për destabilizimin e Ballkanit. Serbia është duke blerë armë nga Rusia”, ka thënë Kurti duke shtuar se “gjithë këtë armatim Serbia nuk e ka për mbrojtje apo parakalime ushtarake po për luftëra”.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se vendet e BE-së për shumë kohë e kanë neglizhuar këtë bashkëpunim ushtarak mes Serbisë dhe Rusisë. Kurti thotë se Kosova nuk ka çështje të hapura me Portugalinë derisa ka kërkuar ndihmën e saj për të arritur njohjen nga Spanja.

“Së paku Spanja të na njeh pasaportat dhe të hap një zyrë ndërlidhëse në Kosovë”. Ai thotë se nuk ka asnjë paralele mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë me atë që po bën Rusia.

“Serbia bëri gjenocid në Kosovë dhe ndërhyri NATO. Në Donbas e Krime po shohim një shprehje të imperializmit rus”, tha ndër të tjera Kurti.