Guterres i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojnë dialogun: Progres i kufizuar

37
guterres-i-ben-thirrje-prishtines-dhe-beogradit-te-vazhdojne-dialogun:-progres-i-kufizuar

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, mbetet kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe inkurajoi të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në arritjen e rezultateve konkrete.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në një raport gjashtëmujor për Kosovën ka theksuar se i vjen keq që deri më tani është arritur vetëm “progres i kufizuar” në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Procesi i dialogut dhe përpjekjet për të arritur normalizimin kanë mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë të OKB-së”, tha Guterres.

Ai vlerësoi se mbajtja e një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës është çelësi për arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme.

Ai i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë bashkëpunimin brenda Grupit të Punës për Personat e Zhdukur.

Raporti gjashtëmujor për situatën në Kosovë përmend se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë biseduar më 6 tetor në margjinat e samitit “BE – Ballkani Perëndimor” në Brdo afër Kranjit në Slloveni.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë raportin e Guterres më 20 prill. Bashkë me atë raport është shtuar edhe një raport për punën e EULEX-it në të njëjtën periudhë.