OVL e UÇK-së kërkon veprime nga shteti për çështjen Dick Marty

53
ovl-e-uck-se-kerkon-veprime-nga-shteti-per-ceshtjen-dick-marty

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës që të ngrenë në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi serb e që synonte të fajësonte shqiptarët për këtë.

Në një konferencë për media të mërkurën, nga OVL-ja e UÇK-së kanë thënë se presin veprime si nga Kosova ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

“S’është hera e parë që Serbia mundohet t’ua veshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i ka bërë. Ka pas shumë ngjarje tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë vetë fëmijët dhe është munduar t’ua veshë pjesëtarëve të UÇK-së apo rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bë këso inskenime e ngjarje e është munduar t’ua veshë shqiptarëve. Shteti i Kosovës sot s’do të duhej të heshtte. Qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash kur gjoja po kërcënohet nga shërbimi serb, e ta ngrejë si çështje në takime me organizmat ndërkombëtarë sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se nga Shqipëria presin që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Martyt me të cilin akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh.

Klinaku ka kërkuar po ashtu që Këshilli i Evropës t’i kërkojë falje Kosovës.

OVL-ja e UÇK-së ka kërkuar që edhe Gjykata Speciale ta ftojë si dëshmitar Martyn.

Ish-senatori zviceran Marty që nga dhjetori 2020 është në mbrojtje të lartë policore. Shkalla e rrezikut është vlerësuar si më e larta, 5, që do të thotë ndërrim identiteti, por ai nuk e ka pranuar atë dhe ka ngelur në shkallën 4, ku i ofrohet mbrojtje vazhdimisht. Në një intervistë në emisionin “Mise au point” në një TV zvicerane, ai ka thënë se më 18 dhjetor 2020 ka marrë telefonatë nga policia zvicerane ku i është thënë se jeta e tij është në rrezik dhe se do të vendoset në mbrojtje të lartë policore.

Në intervistë, Marty tha se kërcënimi me vdekje erdhi nga qarqe të caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, të cilat kanë kërkuar atentatorë me pagesë që ta likuidojnë atë për të fajësuar më pas shqiptarët nga Kosova.

Vite më parë, një raport i Martyt u mor si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në të, Marty pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë “bërë trafikim me organe të serbëve” gjatë luftës.