Deputetja e VV-së: Vendi i 87-të në luftën kundër korrupsionit nuk është për t’u lavdëruar

46
deputetja-e-vv-se:-vendi-i-87-te-ne-luften-kunder-korrupsionit-nuk-eshte-per-t’u-lavderuar

Me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë, Kosova është ngritur për 17 vende në listë.

Sipas raportit, vendi tregoi një vullnet të sinqertë për luftuar korrupsionin, duke hetuar udhëheqës të akuzuar për korrupsion.

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni thotë se kurrupsioni në një vend matet vetëm me perceptim.

“Raporti për Kosovën është një e arritur që kohët e fundit rrallë kemi dëgjuar. Kosova asnjëherë më parë nuk ka marrë kaq poenë. Lëvizja pozitive në poenë është e arritur. Renditja varet edhe nga shtetet tjera”.

Preteni thotë se luftën ndaj korrupsionit e bëjnë të gjitha institucionet në përgjegjësitë e saja.

“Edhe më herët kemi pasur disa raste me pompozitet të lartë por që asnjëri s’ka përfunduar me aktgjykim të plotë”, deklaroi tutje Preteni.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se raporti i TI është lajm i mirë, por ajo thotë se nuk duhet të jemi euforikë për këtë lëvizje.

“Duhet të bëhemi të sinqertë, vendi i 87-të në listën e Transparency International nuk është lavd. Do të duhej të ishim shumë më mirë e jo në pjesën e kuqe, pavarësisht se është e kuqe e çeltë. Por vlen të cekim se për 17 vende jemi më lartë se viti i kaluar”, tha ajo në RTV Dukagjini.

Ish ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi thotë se propaganda e LVV-së sa ishte ne opozitë ka ndikuar që përceptimi për korrupsionin të bie në Kosovë.

“Jo domosdoshmërisht lufta ndaj korrupsionit ka pasur sukses, por ndjenja e publikut për betejën anti-korrupsion është më pozitiv se më herët. Për shkak se i tërë mllefi i shprehur nga LVV kur ishte në opozitë, luftimin e korrupsionit e lidhte me politikë është ky raport. Ardhja e tyre në pushtet tashme e ka sjellë këtë percepsion se korrupsioni po luftohet”.

Kreshnik Gashi nga Birn thotë se meritat për luftimin e korrupsionit duhet të ndahen mes institucioneve.

“Qeveria Kurti ka ndërtua disa standarde në luftimin e korrupsionit, por ende nuk kemi parë veprime konkrete nga ta për të luftuar korrupsionin. Mekanizmat që Qeveria Kurti i ka premtua nuk i ka vendosur në zbatim…Rasti i Brezovicës, te Ministria e Bujqësisë janë raste minore dhe ato kanë filluar të hetohen nga viti 2020. Meritat iu takojnë policëve hetues që janë marrë me rastin e jo Qeverisë”, deklaroi Gashi.

Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini, Dibran Istrefi thotë se perceptimi megjithatë nuk është fakt.

“Ndryshimi i qeverive megjithatë ka ndikuar në këtë percepsion se ka rënie të korrupsionit në terren. Megjithatë ne jemi nën nivelin mesatar të perceptimit të korrupsionit”, deklaroi Istrefi.