1,500 euro për familjet që kanë humbur familjarë nga COVID-19

24
1,500-euro-per-familjet-qe-kane-humbur-familjare-nga-covid-19

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka nënshkruar sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 3.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19.

Në linjë me politikat që synojnë lehtësimin e pasojave të pandemisë COVID-19, kjo masë synon mbështetjen financiare të familjeve që kanë humbur familjarin e tyre si rezultat i infektimit me COVID-19. Kjo bëhet në përpjekje për të zbutur vështirësitë financiare me të cilat këto familje mund të përballen.

Në komunikatën e ministrisë është potencuar se në zbatim të masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 Euro. Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi COVID-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë.

Aplikimi për masën 3.1 dhe do të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzën në vijim https://masa3-1.rks-gov.net dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 Nëntor 2021. Aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit.

Siç është bërë e ditur, pas datës 1 tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

The post 1,500 euro për familjet që kanë humbur familjarë nga COVID-19 appeared first on .