Gjilani i Munishit e mposht Dritën në derbin kontrovers në Fadil Vokrri

23
gjilani-i-munishit-e-mposht-driten-ne-derbin-kontrovers-ne-fadil-vokrri

Gjilani ka fituar 2:0 ndaj Dritës me 10 lojtarë, në një derbi me polemika të dielën në kryeqytet, në të cilin pati përleshje mes tifozëve dhe vonesa në rifillimin e ndeshjes pas pushimit mes pjesëve.

Derbi i Anamoravës mes Dritës dhe Gjilani i përmbushi pritjet si derbi më i zjarrtë në futbollin elitar kosovar

Gerhard Progni dhe Shën Kelmendi shënuan nga një herë në pjesën e dytë në Stadiumin Fadil Vokrri për t’ia siguruar tri pikët e plota Gjilanit dhe humbjen e parë Dritës këtë sezon.

Ismet Munishi nuk e kishte fituar një derbi të Anamoravës në tri tentimet e mëparshme.

Ky triumf e rikthen skuadrën e Munishit në pjesën e lartë të tabelës dhe vetëm tri pikë larg vendit të parë, Ballkani, që ka 12 pikë pas gjashtë javëve. Drita bie në vendin e tretë me 11 pikë.

Pas një pjese të parë pa shumë cilësi dhe raste shënimi e të qetë në fushë, tensionet nisën në tribuna, ku shpërtheu një përleshje fizike mes tifozëve të të dy skuadrave.

Një numër i tifozëve të Dritës u panë edhe duke i kaluar rrethojat për t’u futur në fushë dhe iu vërsulën tifozëve kundërshtarë.

Si pasojë, Zyrtarët e Gjilanit nuk i lejuan futbollistët e vet të dalin në fushë fillimisht për vazhdimin e pjesës së dytë.

Por pas një vonese disa minutëshe dhe shtimit të numrit të oficerëve të policisë në stadium, Gjilani u kthye në fushë dhe takimi vazhdoi.

Një çast magjik i Prognit e ndryshoi rrjedhjen e një ndeshje të zymtë pas pak më shumë se një ore futboll në kryeqytet.

Mesfushori 34-vjeçar shënoi gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë në minutën e 66-të, kur e mposhti portierin e Dritës me një goditje mu në këndin e tij të djathtë të lartë.

Gjërat u vështirësuan për skuadrën e Ardian Nuhiut, pasi mbrojtësi Balde u përjashtua nga loja me karton të kuq për një ndërhyrje si lojtar i fundit.

Megjithëse me një lojtar më pak në fushë, Drita u përpoq ta gjente golin e barazimit por i mungoi finalizimi.

Shpresave të “Intelektualëve” iu dha fund Kelmendi që e vulosi fitoren e parë të Munishit në derbin e Anamoravës me një gol në minutën e 89-të.

Ky ishte triumfi i parë i Gjilanit pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri ndeshjet e fundit dhe erdhi mu në kohën e duhur për Munishin.

Drita do të përballet me Dukagjinin, ndërsa Gjilani me Llapin në ndeshjet e radhës.

The post Gjilani i Munishit e mposht Dritën në derbin kontrovers në Fadil Vokrri appeared first on RahovecNET.