Vitia rreth pandemisë: S’jemi duke e zbuluar ujin e nxehtë këtu, po marrim rekomandime të ekspertëve

30
vitia-rreth-pandemise:-s’jemi-duke-e-zbuluar-ujin-e-nxehte-ketu,-po-marrim-rekomandime-te-eksperteve

Gjatë deklarimit të tij para deputetëve, Vitia tha se e ka bërë shumë herë kërkesën për bashkëpunim për çdo deputetë në luftën me pandeminë, dhe siç tha ai, kjo do të vlejë çdo herë në Qeverinë Kurti.

“Procesi i vaksinimit është duke shkuar jashtëzakonisht mirë, kemi filluar të fundit për arsyet që i dimë por procesi në Kosovë ka tejkaluar të gjitha vendet e rajonit sa i përket numrit të dozave të administruara. Dera është e hapur në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse kjo është një luftë e përbashkët, sidomos me variantin Delta, lloji i virusit tjetër me agresivitet të shpërndarjes. Një numër i deputetëve jo që s’kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë por janë munduar të dëmtojnë procesin e vaksinimit”, tha Vitia.

Tutje, Ministri tha se falë masave të Qeverisë Kurti, Kosova po arrin të kalojë variantin Delta.

“Kosova po e kalon variantin Delta më shpejt se sa dy muaj. Akoma dy muaj nuk janë bërë edhe ne jemi në përfundim. India për mbi 4 muaj, Anglia 4 muaj dhe po vazhdon akoma, SHBA tre muaj dhe po vazhdon akoma, Mali i zi 2 muaj. Qeveria Kurti e ka dëshmuar veten të aftë për të vënë në kontroll të tri variantet deri tani”.

“Qeveria paraprake nuk është treguar e aftë në këtë menaxhim. Për shkak të masave të tyre jo efikase, s’jemi duke e zbuluar ujin e nxehtë këtu, jemi duke marrë rekomandime të ekspertëve. Kur ka rritje të rasteve, masat merren ashtu siç i kemi marrë. Në çdo valë kemi arritur që sa më shkurt dhe thellë të ulim numrin e rasteve dhe viktimave. Është situatë e rëndë, vaksinohuni sepse edhe valë të tjera do të vijnë pavarësisht cila qeveri është”, tha tutje Vitia.