Dogana kap një kamion me pije alkoolike dhe sheqer në Zveçan

29
dogana-kap-nje-kamion-me-pije-alkoolike-dhe-sheqer-ne-zvecan

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar hyrjen e një kamioni i cili transportonte mallra të kontrabanduara.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se “sot paradite në afërsi të Zveçanit, njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndalur për kontroll një kamion të tonazhit të ultë, pas dyshimeve se mund të ketë mallra kontrabandë. Fillimisht drejtuesi i kamionit ka tentuar të largohet por intervenimi i suksesshëm oficerëve ka rezultuar me ndalimin e këtij mjeti transportues”.

Tutje, në njoftim thuhet se me rastin e kontrollit janë gjetur mallra akcizore, përkatësisht birra dhe sheqer në sasi si vijon:

1. Birra të ndryshme mbi 1500 litra
2. Sheqer – 1 ton

Mallrat dhe mjeti transportues janë konfiskuar, derisa rasti ka vazhduar për kundërvajtje.

“Dogana e Kosovës synon që në bashkëpunim me qytetarët të mbrojë interesin e shtetit, duke u pamundësuar kriminelëve që të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Andaj, mirëpresim bashkëpunimin me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mënyra më e sigurte është që të na kontaktoni përmes telefonit 0800 500 95, Facebook Dogana e Kosovës ose e-mail: info@dogana-ks.org. Me bashkëpunim efikas secili bëhet pjesë e luftës ndaj krimit. Duke mbrojtur të hyrat ne i krijojmë më shumë mundësi zhvillimit të vendit”, thuhet në njoftim.