Një muaj paraburgim ndaj tre personave për falsifikim të testeve kundër COVID-19

116
nje-muaj-paraburgim-ndaj-tre-personave-per-falsifikim-te-testeve-kunder-covid-19

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit nda tre personave që falsifikuan testet antiCovid-19.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës– Luan Berisha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 24.08.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 23.09.2021, ndaj të pandehurve Xh.K., A.S., dhe Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 par.2 lidhur me par.1 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata thotë se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Të pandehurit Xh.K., A.S., dhe Sh.K., me datë 24 gusht, në orët e mbrëmjes në Prizren, në Agjencione të ndryshme me dije përdorin dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, ashtu që falsifikojnë teste RT – PCR SARS COVID-19 – NEGATIV, ne emër të shumë personave, duke manipuluar me kompjuterë dhe duke vendosur vula në testet e falsifikuara në këmbim të një shumë të parasë.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh se procedura është në fazën fillestare të hetimit dhe për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, është i nevojshëm caktimi i paraburgimit sepse ekziston rrezik potencial që nëse të pandehurit lihen në liri, atëherë të njëjti do të mund t’i asgjësojnë, fshehin ose ndryshoj provat e tjera të veprës penale dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, përkatësisht procedurës hetimore, si dhe duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, dhe peshën e rëndë të veprës penale, gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.