Para disa ditësh Vulin i cili e ka të ndaluar hyrjen në Kosovë, gjatë një tubimi partiak i kërkoi Vuçiqit që të mbetet president e të angazhohet për krijimin e asaj që Vulin e quajti “Bota Serbe”
“Nuk është e imja që ta hesht Vulinin. Por të gjithë duhet ta kenë të qartë, Serbia i ka kufijtë e saj të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare pra nga Kombet e Bashkuara. Këta janë kufijtë e vetëm që na interesojnë. Këtu përfshirë Kosovën si pjesë të Serbisë në pajtim me Rezolutën 1244.” tha kryetari i Serbisë në një intervistë për televizionin Pink.
Për deklarimet e dyshes Vuçiq- Vulin, ka reaguar ish- kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.
Ai tha se ideja e krijimit të asaj që quhet “Bota Serbe” është thjesht një eufemizëm për dëshirën e politikanëve në Beograd për krijimin e “Serbisë së Madhe”
Nga ana e tij eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka deklaruar se Amerika dhe Evropa duhet ti ndalin apetitet territoriale të Vuçiqit sidomos ndaj Kosovës e Bosnjës.
“Është koha që Brukseli t’i tregojë atij se BE-ja nuk do të pretendojë më se anëtarësimi është mundësi për një shtet që ushqen ambicie territoriale dhe mos respekt për kufijtë e fqinjëve të vet. Dhe është koha që Washingtoni të sinjalizojë qartazi se NATO-ja do t’i mbrojë të gjithë fqinjët e Serbisë nga synimet jo fqinjësore të Beogradit. Është koha që BE-ja dhe NATO-ja të bëhen reale me Serbinë”,shkroi profesori në Universitetin “Johns Hopkins”.