Pretendimet e Simmons për bashkëpunim me prokurorinë serbe, vjen reagimi nga EULEX-i

175
pretendimet-e-simmons-per-bashkepunim-me-prokurorine-serbe,-vjen-reagimi-nga-eulex-i

Simmons ka thënë ndër të tjerash se EULEX-i ka synuar të dënojë sa më shumë ish-krerë të UÇK-së, në mënyrë që të largohen nga skena “peshqit e mëdhenj”, shkruan Rahovec.net.

Tutje, ai ka folur edhe për bashkëpunimin e EULEX-it me Serbinë, duke thënë se ky mision e ka ndihmuar prokurorinë serbe me dosje.

Të gjitha këto deklarata i ka mohuar EULEX-i, të cilët përmes një komunikate për media kanë thënë se qëllimi i Simmons është diskreditimi i misionit.

“Në lidhje me pretendimet se EULEX-i ua dorëzoi dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe: Ne e përsërisim se: EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkojmë Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzojë autoriteteve serbe”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Ata kanë folur edhe për rastet “Kleçka” dhe “Drenica II”, për të cilat Simmons ka thënë se i është kërkuar dënimi i të akuzuarve.

Në reagimin e tyre, EULEX-i ka thënë se pretendimet e Simmons janë në kundërshtim me realitetin.

“Rasti “Kleçka”: Pretendimet e Simmons për rastin “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se vendi i tij i punës mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Megjithatë, pasi që trupi gjykues, i kryesuar nga Simmons, i liroi nga akuza të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën e tij, por vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë. Por ai ishte ai që gjykoi rastin si kryesues i trupit gjykues. Si i tillë, ai pati çdo mundësi ta shpëtonte veten e tij nëse ai nuk do të pajtohej me paraqitjen e rastit në gjykatë”, thuhet në reagim.

Tutje, nga EULEX-i kanë deklaruar se përbërja e trupit gjykues në rastin “Drenica II” ka qenë e ligjshme dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga palët në lidhje me përbërjen e trupit gjykues.

“Rasti “Drenica II”: Përbërja e trupit gjykues në rastin Drenica II ishte e ligjshme. Asnjë kundërshtim nuk ishte ngritur nga palët në lidhje me përbërjen e trupit gjykues gjatë procedurave të shqyrtimit gjyqësor. Simmons duhet t’i kujtohet se pas vendimit të vitit 2018 të Gjykatës Kushtetuese u nxor një vendim nga Gjykata Kushtetuese në nëntor 2019 prej gjyqtarëve kosovarë, të cilët unanimisht hodhën poshtë një ankesë përfundimtare në rastin e krimeve të luftës “Drenica II”, duke i konfirmuar pesë dënime. Kjo i demanton të gjitha pretendimet për anim nga ana e trupit gjykues të shkallës së parë”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Kujtojmë se ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka kohë që ka kërkuar që t’i ofrohet mundësia për të folur për “skandalet” e misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërsa sot është paraqitur përmes një video-lidhje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku edhe ka raportuar për veprimet e misionit gjatë kohës sa ai ka qenë gjyqtar aty. /Rahovec.net/