Policia e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një bastisje në fshatin Bakshi të Komunës së Obiliqit.
Si rezultat i bastisjes, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, një karikator të armës automatike AK-47 dhe pesë copë fishekë të kalibrit 7.62.
“Kjo bastisje ka ardhur si rezultat i një rasti kanosjeje të denoncuar të njëjtën ditë në stacionin policor në Obiliq, me ç’rast hetuesit kanë zgjeruar rrethin e hetimit që ka rezultuar me bastisjen dhe sekuestrimin e armës”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.
Tutje, policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit A.G., mashkull kosovar 32-vjeçar, është iniciuar rasti për kanosje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është proceduar më tej.
Policia e Kosovës ka theksuar edhe një herë se në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në to.