Është deputetja Blerta Deliu-Kodra ajo që me anë të një postimi në Facebook e ka quajtur “të paprecedentë” sjelljen e VV-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Rahovec.net.
Sipas saj, VV po udhqen një diskurs konfliktuoz me SHBA-të, dhe se kundërshtimet e kësaj partie ndaj SHBA-ve nuk janë aspak të rastësishme.
Madje ajo ka thënë se ndihet keq që një koleg i saj deputet i tregon SHBA-ve se çka është sovraniteti i Kosovës.
“Kundërshtimet e Vetëvendosjes nuk janë të rastësishme dhe as nuk vijnë nga zyrtarët e parëndësishëm të kësaj partie. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ndihem keq se si një koleg i yni i tregon SHBA’ve se çka është sovraniteti i shtetit të Kosovës. Më së paku, është e turpshme të flasësh kështu me SHBA’të, një vend që ka mbështetur luftën e Kosovës për liri, shpalljen e Pavarësisë dhe vazhdon ta mbështes konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Deliu.
Deliu-Kodra ka thënë tutje se ky fjalor i shfaqur nga Dugolli ushqehet në të gjitha format nga kryetari i partisë, tanimë kryeministër i vendit, Albin Kurti.
Më poshtë keni postimin e plotë të Deliut:
Diskursi konfliktuoz i Lëvizjes Vetëvendosje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i paprecedentë.
Për më tepër ky diskurs është në kundërshtim të plotë me faktin e pamohueshëm se SHBA’të janë aleati strategjik i shtetit tonë.
Kundërshtimet e Vetëvendosjes nuk janë të rastësishme dhe as nuk vijnë nga zyrtarët e parëndësishëm të kësaj partie. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ndihem keq se si një koleg i yni i tregon SHBA’ve se çka është sovraniteti i shtetit të Kosovës. Më së paku, është e turpshme të flasësh kështu me SHBA’të, një vend që ka mbështetur luftën e Kosovës për liri, shpalljen e Pavarësisë dhe vazhdon ta mbështes konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Për fatin tonë të keq, ky fjalor ushqehet nga kryetari i saj Albin Kurti, i cili në shumë raste nuk ka hezituar të bëjë deklarime të rënda.
Vetëvendosje dhe kryetari i saj, duhet t’i thërrasin zërit të arsyes, e ta ruajnë si sytë e ballit miqësinë dhe partneritetin me SHBA’të. /Rahovec.net/