Gjykata merr vendim për ferizajasin që ia vodhi qaforen një gruaje nga fyti

170
gjykata-merr-vendim-per-ferizajasin-qe-ia-vodhi-qaforen-nje-gruaje-nga-fyti

Fatos Avdyli është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për akuzën se ia kishte marrë me forcë një gruaje zinxhrin e arit në vlerë prej 2 mijë e 300 euro dhe e kishte shitur te Valon Demiri, i cili është dënuar me 3 muaj burgim me kusht.

Vendimi është marrë në seancën fillestare të mbajtur, të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku dy të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fatos Avdyli ngarkohej për veprën penale për grabitje derisa Valon Demiri për blerje, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykatësi i çështjes, Sahit Krasniqi, ndaj të akuzuarit Fatos Avdyli u shqiptua dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti e 6 muaj dhe gjobe prej 500 euro, në të cilin dënim do të i llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa i akuzuari Valon Demiri u dënua me dënim burgimi prej 3 (tre) muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda periudhës 1 (një) vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës, Fatos Avdyli akuzohet se më 31 mars 2021, rreth orës 18:40 në rrugën “Ahmet Kaqiku” në Ferizaj, me përdorimin e forcës ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarës L. I.

Sipas Prokurorisë, Avdyli i ishte afruar të dëmtuarës dhe e kishte kap me forcë zinxhirin e arit nga qafa ku së bashku në atë zinxhir ishte e vendosur dhe një pllakë e arit e gdhendur në formë të kokës së tigrit, në vlerë rreth 2300 euro.

Sipas akuzës, i pandehuri e kishte tërhequr me forcë zinxhirin nga viktima derisa ishte shkëputur nga qafa e të dëmtuarës, e pastaj  të nesërmen e kishte shitur tek argjendaria “Tafa” në Ferizaj për çmimin prej 675 euro, kurse pllakën e zinxhirit e kishte shitur tek argjendaria “Briljant” në Ferizaj për çmimin prej 70 euro. Me këtë i pandehuri Fatos Avdyli ka kryer veprën penale Grabitja nga neni 317 paragrafi 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë dhe me burgim prej 3 deri në 12 vjet.

Sipas aktakuzës, Valon Demiri akuzohet se më 1 prill 2021, në dyqanin e argjendarisë “Briljant” në Ferizaj, kishte blerë pllakën e arit nga i pandehuri Fatos Avdyli.

Sipas akuzës, Demiri ka mundur ta dijë se është përfituar nga vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte duke punuar në lokalin e tij, i pandehuri Fatos Avdyli i kishte ofruar për shitje pllakën e arit në formë të kokës së tigrit të cilën e kishte grabitur nga e dëmtuara L. I., ndërsa tani i pandehuri e kishte blerë në çmimin prej 70 euro, me ç’rast nuk kishte bërë identifikimin e shitësit dhe as nuk i kishte lëshuar kuponin fiskal, edhe pse vlera reale e pllakës ishte shumë më e lartë dhe ka mundur ta dijë se është përfituar nga vepra penale.

Me këtë i pandehuri Valon Demiri, ka kryer veprën penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale nga neni 333 paragrafi 2 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet deri në një vit burgim.