Mbeti me 8 fëmijë jetimë e beben dyjavëshe, bashkëshortja kërkon drejtësi për vrasjen e burrit

137
mbeti-me-8-femije-jetime-e-beben-dyjaveshe,-bashkeshortja-kerkon-drejtesi-per-vrasjen-e-burrit

Mbeti me 8 fëmijë jetimë e beben dyjavëshe, bashkëshortja kërkon drejtësi për vrasjen e burrit.

Suzana Seferi, bashkëshortja e të ndjerit A.S, ka thënë se po kërkon drejtësi për burrin e vrarë pasi e lanë me tetë fëmijë jetimë dhe me beben dyjavëshe.

“Unë du drejtësi, ma ka lan djalin 2 javësh”, ka thënë e dëmtuara-dëshmitare Seferi në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin dy vëllezërit Albion dhe Berat Strelli po akuzohen për vrasjen e A.S.

Ndryshe, Albion Strelli akuzohet për dy vepra penale, për vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa vëllai i tij, Berat Strelli akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e prokurorisë është konsideruar e lexuar, pas pëlqimit të palëve na procedurë.

Në pyetjen e prokurores Fitore Sadiku drejtuar të dëmtuarës dëshmitare Seferi se a e di se si ka ndodh rasti konkretisht, e dëmtuara dëshmitare Seferi ka thënë se e di vetëm atë se çfarë ka dëgjuar nga kunetërit e saj.

“Kurrë ma herët s’kom dëgju për ta, A. s’ka pas ndonjë problem jo veç me këta po me kërkon hiq. Unë aty nuk kam qëllu në vendin e ngjarjes, veç e di që shefi ju kishte thënë të akuzuarve merrni punëtorët përkatësisht agimin dhe kasherit e tjerë, po të akuzuarit nuk vinin ti merrni, për qat kombi mi kanë lënë 8 fëmijë jetim”, ka thënë e dëmtuara dëshmitare Seferi.

Ajo ka treguar se kunetërit e saj i kanë thënë se burrin ia ka vrarë djali që ishte ne bicikletë në ditën kritike.

“Te shpija jem jo, por kur jom kanë tu shku te vjehrra, ky u kanë aty e ka ble një telefon prej Shkelzenit. Kur ma kanë vrarë burrin kunetët m’kanë thënë ai djali që ka qenë me bicikëll ai është që e ka vra”, ka thënë e dëmtuara dëshmitare Seferi.

E dëmtuara-dëshmitare ka thënë se dy të akuzuarit burri i saj i kishte marrë në punë dhe t’i paguante më shumë se sa ishin në punën paraprake.

Prokurorja e shtetit Fitore Sadiku në fjalën e saj hyrëse tha se prokuroria ka arrit të sigurojë prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se të akuzuarit i kanë kryer këto vepra penale që iu vihen barrë.

Më tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arian Hetemi e ka mbështetë fjalën e prokurores Sadiku, ndërsa sa i përket kërkesës pasurore juridike ka njoftuar se realizimin e kësaj kërkese do e dërgojë në kontest civil.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Albion Strelli, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka bërë tre propozime: ka kërkuar të bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, të dëgjohet dëshmitari anonim apo dëshmitarët tjerë që kanë qenë në vendngjarje dhe në fund ka propozuar që i mbrojturi i saj Albion Strelli të dërgohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike meqë i njëjti nuk është mirë nga shëndeti psikik dhe fizik.

“Duke u bazuar në gjendjen shëndetësore fizike dhe psikik të të mbrojturit tim, i cili ka shpreh gjithmonë pendim, unë ende kam probleme të komunikoj me të mbrojturin tim, ai krejt kohën e ka kalu t’u i msha murit. E për këtë arsye kërkoj me dërgu në Institutin e Psikiatrisë Forenzike” – ka thënë avokatja Gashi-Bytyqi.

Sa i përket këtyre propozimeve, kryetari trupit gjykues Naser Foniqi e ka aprovuar propozimet e avokates Gashi-Bytyqi për rikonstruktimin e vendngjarjes dhe për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentin kritik.

Ndërsa, sa i përket propozimeve për dëgjimin e dëshmitarit anonim dhe dërgimit të të akuzuarit Strelli në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, janë refuzuar.

Ndryshe, mbrojtësi i atë akuzuarit Berat Srelli, avokati Haxhi Millaku në fjalën e tij hyrëse ka thënë se i mbrojturi i tij po akuzohet pa ekzistimin e elementeve thelbësore që bëjnë një vepër penale dhe ka akuzuar prokurorinë që kanë propozuar si dëshmitarë familjarët e të ndjerit

“Dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale që e mbështesin akuzën nuk kanë fuqi provuese sepse dëshmitarët Besnik, Bekim, Bashkim, Naim dhe Bafti Seferi janë të afërm të familjes së viktimës dhe ka subjektivitet të theksuar për shkakun e pasojës përkatësisht vdekjes së dhunshme që ka gjetur ditën kritike i ndjeri”, ka thënë avokati Millaku.

Kjo seancë është ndërprerë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me datë 19 korrik, në ora 13:10.

Ndërkohë, kryetar i trupit gjykues ishte Naser Foniqi, anëtarë ishin Kushtrim Shyti dhe Fatime Dërmaku, por duke marrë parasysh se gjykatësja Dërmaku kishte ndërmarrë veprime në procedurë paraprake në këtë çështje penale, duke vazhduar paraburgimin ndaj të akuzuarve, ajo u zëvendësua me gjykatësen Alltën Murseli.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli po akuzohet se me 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit Agim Seferi, për shkak të transportit me veturën kombi-i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuar në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vend punishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit A.S, Albioni me dashje që ta privoj nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit A.S, duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A.S është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nën paragrafi 1.5 te KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Albion Strelli, nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se me datë kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin Albion Strelli-vëllain e tij, që ta kryej veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me te pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marr armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri Albion e ka thirr në emër Agim, e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’ më pas Albioni e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së.Më shumë nga interneti .