Prokuroria jep detaje për arrestimin e Kryeshefit të KPM-së, Luan latifi

152
prokuroria-jep-detaje-per-arrestimin-e-kryeshefit-te-kpm-se,-luan-latifi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për intervistimin dhe dërgimin në mbajtje të Kryeshefit  të Komisionit të Pavarur për Media –KPM, Luan Latifit.

Latifi është arrestuar sot pas dyshimeve për përfshirje në rastin e marrjes së ryshfetit, për të cilën dje është arrestuar drejtori i Financave dhe Administratës së KPM-së, Arben Bilalli, shkruan lajmi.net.

Latifi dyshohet se ka marrë 8 mijë euro dhe dyshohet për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Postimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Prishtinë, njofton opinionin publik se pas pranimit të informatës për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ftuar për intervistim edhe të dyshuarin e dytë me iniciale L.L., Kryeshef në KPM.

Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet.

Më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari L.L.,  me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu, ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit me inicialet A.B., prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.​