Kosova-Shqipëria bashkëpunojnë në fuqizimin ekonomik të grave

162
kosova-shqiperia-bashkepunojne-ne-fuqizimin-ekonomik-te-grave

 

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësueset e të dyjave Dhomave u zotuan se do të kenë më shumë bashkëpunim në mes vete me qëllim që të mundësohet fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë dhe Shqipëri.

Presidentja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Afërdita Saraçini-Kelmendi, tha se marrëveshja do të ndikojë në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Numri më i madh i grave ia ka arritur dhe ia ka dalë pa bërë shkurtime në staf, natyrisht aty-këtu po, por jo shkurtime të mëdha siç ka ndodhur tek bizneset e burrave. Kjo dihet pse, për shkak se gratë janë më të kujdesshme edhe ndaj punëtorëve, janë edhe më të vëmendshme për nevojat e tyre. Për këtë unë ju uroj të gjitha gratë që janë të angazhuara në biznes që gjatë kësaj periudhe gati 1-vjeçare ia kanë dalë dhe kanë arritur që me punën e tyre të shkëlqejnë edhe në këtë kohë. Bashkëpunimi i dy Dhomave Ekonomike besoj se do të jetë një vokacion i përbashkët i të dy Dhomave që të bëjnë sa më shumë projekte të përbashkëta, të cilat do të shtyjnë të gjitha nevojat e grave të cilat janë të angazhuara në fushën e ndërmarrësisë”, tha ajo.

Marrëveshjen e bashkëpunimit e ka nënshkruar Linda Shala nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, e cila tha se qëllimi i saj është që të mundësohet fuqizimi i grave në Kosovë dhe Shqipëri.

“Është një vullnet i mirë i Dhomës Ekonomike të Gruas dhe Dhomës Ekonomike të Gruas Shqiptare që të nisim një bashkëpunim dhe të mundësojmë fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë dhe Shqipëri. Ideja është se nëse ne do të arrijmë që me organizimet tona të radhës të fuqizojmë zërin tonë së bashku atëherë jam e bindur që edhe ndikimi jonë në vendimmarrje si në Shqipëri, si në Kosovë do të ketë efektin e vet të madh. Në treg 5 milionësh është një treg i respektueshëm, po flas për tregun e përbashkët 3 milionë në Shqipëri, 2 milionë në Kosovë. Zhvillimet e kohës në Shqipëri dhe Kosovë do të kenë nevojë për mbështetje të biznesit, andaj ky është një moment i rëndësishëm kur ne së bashku me këtë memorandum bashkëpunimi do ta rrisim nivelin e artikulimit të kërkesave të grave në biznes e të cilat do të jenë të dobishme për vendimmarrësit andej dhe këndej kufirit. Bashkimi më i mirë mund të bëhet nëse bashkohen tregjet e bashkimi i tregjeve shqiptare, sigurisht se do të ndikojë edhe në fuqizimin e prezencës edhe influencës shqiptare në rajon”, tha Shala.

Edhe presidentja e Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri, Antonela Hako, tha se një bashkëpunim i tillë është më se i domosdoshëm mes grave biznesmene të të dyjave vendeve.

“Mendoj që ka prej vitesh një dëshirë e madhe për të pasur tregje të përbashkëta dhe të ndihmojmë zonjat që të njihen me njëra-tjetrën, me punën e njëra-tjetrës, të shkëmbejnë eksperiencat, sepse realisht me të gjithë punën që ne kemi bërë gjatë këtij viti kemi parë se sa shumë nevojë kanë zonjat për t’u njohur, për të shkëmbyer eksperiencat”, tha Hako.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të bashkëpunimit, përfaqësueset e të dyjave Dhomave kanë zhvilluar takime B2B.

The post Kosova-Shqipëria bashkëpunojnë në fuqizimin ekonomik të grave appeared first on .