Gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, ish-gruaja e tij kërkon të largohen videot e momentit të vrasjes

148
gjykimi-per-vrasjen-e-agonis-tetajt,-ish-gruaja-e-tij-kerkon-te-largohen-videot-e-momentit-te-vrasjes

Albesa Cacaj, ish-gruaja e tani të ndjerit Agonis Tetaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë që të largohen videoincizimet e vendit të ngjarjes nga dita kritike.

Një kërkesë të tillë ajo e ka parashtruar në seancën që është duke u mbajtur sot, ku për vrasjen e Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Ajo tha se videoincizimet në fjalë po ndikojnë negativisht te e gjithë familja dhe se publikimi i tyre është bërë pa informimin dhe autorizimin e saj.

Kërkesën e saj kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, tha se do ta shqyrtojë më vonë, pasi gjatë seancës të së hënës do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve

Ndryshe, në seancën e 7 majit, Prokuroria e Gjilanit ka bërë sërish ndryshimin e aktakuzës ndaj Shaban Gogajt.

Ai tashmë po akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, për dallim nga cilësimi që ishte bërë nga prokurori Agron Uka, i cili Gogajn e ngarkonte me veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.

Rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje nga pakujdesia në vrasje të rëndë e ka bërë prokurori i ri që është caktuar për këtë rast Isuf Sadiku.

Gjykata Themelore në Pejë, më 19 mars 2021, kishte vendosur që të rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Një gjë e tillë kishte ndodhur pasi prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, kishte bërë ricilësimin e aktakuzës ndaj Gogajt, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky ricilësim i aktakuzës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj kishte ngjallur reagime nga familjarët e viktimës, ku nëna, babai dhe bashkëshortja e të ndjerit e kishin lëshuan sallën e gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, pas reagimeve të shumta në publik, me vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ishte bërë ndërrimi i prokurorit për këtë çështje, ashtu që lënda i ishte marrë prokurorit Uka dhe i është caktuar prokurorit Isuf Sadiku.

Kryeprokurori Lumezi kishte kërkuar që të bëhej hapja e serishme e gjykimit, pasi pas rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj e kishte pranuar fajësinë, si dhe po ashtu kishte kërkuar që të fillojnë procedurat disiplinore ndaj prokurorit Uka.

Këtë çështje penale deri më tani e ka përfaqësuar Prokuroria e Gjilanit, pasi kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin se Prokuroria e Pejës ishte treguar e njëanshme.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës. /BetimipërDrejtësi