Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë zyrtarë policor për një incident të ndodhur në Prizren, ku zyrtarët policor dyshohet se kanë keqtrajtuar disa qytetarë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të IPK-së, të arrestuarit dyshohen për veprat “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe lëndim i lehtë trupor”, transmeton lajmi.net.
Inspektorati ka bërë të ditur se ka pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policor për një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.
Njoftimi i plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.
Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative).
Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.