Policia aksion në autostradën Vlorë-Fier pas aksidentit me 4 viktima

136
policia-aksion-ne-autostraden-vlore-fier-pas-aksidentit-me-4-viktima

Një ditë pas aksidentit tragjik ku një familje me 4 persona humbi jetën, në autostradën “Pavarësia” në Vlorë ka zbarkuar një njësi e task-forcës së policisë rrugore. Burime bëjnë me dije se janë dashur vetëm pak orë që uniformat blu të ndërmarrin rreth 30 gjoba për shpejtësi të lartë mbi normat e lejuara.

Në këtë aks, shpejtësia e lejuar është deri në 110 kilometër në orë, ndërkohë që sipas burimeve nga policia, personat e ndëshkuar janë pikasur duke lëvizur me shpejtësi nga 160 deri në 220 kilometër në orë.

Këto kontrolle vijnë pas paralajmërimit të zëvendës drejtori të përgjithshëm të policisë, Albert Dervishaj i cili një ditë më parë teksa lajmëroi se policia po heton me kujdes maksimal aksidentin tragjik që shoi një familje me 4 anëtarë, tha se policia rrugore do të intensifikojë masat duke shtuar dhe prezencën e policëve në rrugë, raporton Euronews.al.

Referuar të dhënave policia rrugore ka evidentuar shkeljet më të shpeshta nga ana e shoferëve, që nisin nga shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimet e gabuara apo përdorimi i celularit, për të cilat pak javë më parë u miratuan dhe ashpërsime në kodin rrugor.

Një familje me katër anëtarë u shua në një aksident të rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në autostradën Fier-Vlorë, në zonën e quajtur “Kripa”. Teksa udhëtonin me një autoveturë “Toyota”, familjarët nga Patosi, Eduart Gushi, 44 vjeç; Silvana Gushi, 33 vjeç; Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi 9 vjeçe, janë përplasur me një autoveturë tjetër tip “Audi”, duke përfunduar jashtë rruge dhe duke humbur jetën.

Përplasja ka qenë shumë e fortë, sa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupat e pajetë nga automjeti. Vetëm një prej vajzave, është arritur të dërgohet në spital, por mjekët e kanë pasur të pamundur ta mbajnë në jetë, si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë.