Llapi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me mesfushorin meksikan Francisco Rivera, i cili do t’i ndihmojë klubit nga Podujeva në debutim në kualifikime për garat evropiane.
Llapi, si fituese e Kupës së Kosovës, do ta kërkojë për herë të parë kualifikimin në një garë evropiane, në Europa Conference League, prandaj ka vendosur të përforcohet me futbollistë të huaj.
26-vjeçari nga San Luis Potosi ka nënshkruar marrëveshje njëvjeçare me Llapin dhe do t’i bashkohet klubit në përgatitjet për kualifikime në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian.
Në një njoftim në Facebook, Llapi shkroi: “Podujevë, 6 qershor 2021 – Skuadra e Llapit është përforcuar me mesfushorin nga Meksika, 26 vjeçarin Francisco Rivera. Sot klubi dhe futbollisti arritën akordin për bashkëpunim deri më 2022.”
26-vjeçari së fundmi ishte pjesë e Mineros de Zacatecas me të cilët pati 20 paraqitje, 4 gola e 1 asistim, ndërsa në total për këtë klub numëron gjithsej 71 paraqitje, 6 gola e 6 asistime.
Ai ka qenë edhe pjesë e klubeve, si CF América, Monagas SC, Alebrijes de Oaxaca, CF Atlante, Querétaro FC dhe Tiburones Rojos de Veracruz.
The post Llapi përforcohet me një futbollist meksikan appeared first on RahovecNET.