Ndalohen edhe tre persona në rastin e kontratës së lidhur në mes Telekomit të Kosovës dhe “Zone Mobile”

40
ndalohen-edhe-tre-persona-ne-rastin-e-kontrates-se-lidhur-ne-mes-telekomit-te-kosoves-dhe-“zone-mobile”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detajet e reja.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore në rastin e kontratës të lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, në vlerë rreth 450,000.00 € (katërqind e pesëdhjetë mijë euro),  ku muajin e kaluar janë arrestuar katër (4) persona, ka vazhduar aksionin me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Gjatë këtij aksioni janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth  30,000 € (tridhjetë mijë euro), si dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar.

Personi me inicialet F.A., nga Prishtina, pronar i Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 lidhur  me nenin 31  të KPRK-së dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i dyshuari A.P., nga Peja, pronar i kompanisë “Kompex” me seli në Pejë,  dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308 dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së dhe i dyshuari G.H., nga Prizreni, pronar i kompanisë “Versacop” SH.P.K, me seli në Pejë,  dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308 dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.

Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.​