Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vlerëson se ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në mungesë të guximit pa menduar dy herë po e refuzon faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë COVID-19. Madje nga ky subjekt politik opozitar po kërkohet falje e gjobave e barabartë për të gjithë dhe pa pasur nevojë për aplikim.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa thotë se në këtë kohë kur tashmë situata pandemike është e qetë nuk kanë më efekt as gjobat.
Mustafa këtu ka përmendur edhe pagesën e 11 milionë eurove për energjinë e shpenzuar në veri të vendit.
“Kjo qeveri pa menduar dy herë paguan 11 milionë euro për energjinë e papaguar në katër komunat në veri ndërsa po ashtu pa menduar dy herë refuzon tu fal gjobat e COVID-it qytetarëve bë 34 komunat tjera të Kosovës. Natyrisht që ministria do të deklaroi se faturat në veri janë falur nga Kuvendi e jo nga Qeveria, shpresoj që ministri në këtë seancë të mos tentoj të bëjë këso shakash të lezetshme. Në mungesë të guximit për të marr vetë vendime si ministër gjithnjë përgjegjësinë e ndajnë me kolektivin pra me kabinetin qeverisë, kësaj here në faljen e borxheve ose pagesën e borxheve në veri as kolegët ministra nuk patën guximin ta ndajnë përgjegjësinë me të dhe insistuan që vendimi të merrej në Kuvend”, tha ai,
Deputeti i LDK-së po kërkon që falja e gjobave të jetë e barabartë për të gjitha kompanitë dhe qytetarët, madje thotë se ndaj atyre që kanë paguar gjobat ato tu rimbursohen.
Mustafa madje ka ofruar edhe një zgjidhje se si të vihet deri tek falja e gjobave.
“Nëse nuk ke hapësirë buxhetore për t’iu falur qytetarëve gjobat për COVID-19 sjelle në kuvendin Ligjin për Buxhet në rishikim dhe ne të ndihmojmë të gjesh hapësirë buxhetore që t’i lirosh qytetarët nga këto gjoba”, tha ai.
The post Mustafa kërkon që qytetarëve t’iu falen gjobat e COVID-19 appeared first on Gazeta Press.