Deputetja e LVV-së në Kuvend, dështon të mbahet seanca ku ajo akuzohet për korrupsion

39
deputetja-e-lvv-se-ne-kuvend,-deshton-te-mbahet-seanca-ku-ajo-akuzohet-per-korrupsion

Angazhimet në seancën e Kuvendit të Kosovës të deputetes Jetmirë Vrenezi, kanë pamundësuar mbajtjen e seancës gjyqësore në rastin ku ajo dhe pesë të tjerë po akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi sipas prokurorisë, ata kishin tejkaluar kompetencat e tyre në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës për këtë rast që ishte paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet pasi që paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarës Vrenezi, avokati Ardian Morina e kishte njoftuar gjykatën se Vrenezi është e angazhuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Përveç Vrenezit, në seancë nuk ishin të pranishëm as të akuzuarit Thaqi dhe Bislimaj. Po ashtu, mungoi edhe eksperti i ndërtimtarisë, Liman Mustafa.

Në mungesë të të akuzuarve, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj vendosi të shtyjë seancën për 7 qershor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.