Deputeti i LVV-së del sot para Gjykatës

34
deputeti-i-lvv-se-del-sot-para-gjykates

Pas katër dështimeve me radhë, sot pritet të mbahet seanca fillestare në rastin ku deputeti i Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Fillimisht seanca në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 12 tetor 2020, mirëpo e njëjta ishte shtyrë si pasojë e mos pranimit të ftesës nga i akuzuarit Ramadani. Andaj, gjykata e kishte përsëritur ftesën për të njëjtin, duke e dërguar ftesën edhe në vendin e punës së të njëjtit.

Ndërsa dy seancat e radhës, ajo e 17 dhjetorit 2020 dhe 24 shkurtit 2021 ishin shtyrë me kërkesën e mbrojtjes së Ramadanit.

Ndërkaq, seanca e 15 prillit kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.