Ditë më parë janë publikuar disa pamje të një rrahje brutale që ka ndodhur në oborrin e shkollës “Dardania” në Prishtinë.
Aty shihet se një i mitur është grushtuar e shqelmuar nga disa nxënës, ndërsa i mituri që u sulmua po dyshohet për therje me thikë dhe është dërguar në paraburgim.
Policia e Kosovës sot ka njoftuar se lidhur me këtë rast janë arrestuar dhe intervistuar 13 persona, prej tyre 5 persona me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në qendër të mbajtjes, ndërsa prej tyre 4 personave nga ana e Gjyqtarit të procedurës paraprake i është caktuar masa e paraburgimit.
“Me datë 28.05.2021 rreth orës 13:30 është raportuar se nga disa persona të dyshuar është sulmuar viktima (A.H) duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas të dyshuarit janë larguar menjëherë nga ai lokacion. Në të njëjtën datë rreth orës 14:20 viktima (A.H) ka shkuar në lagjen Ulpiana në Prishtinë dhe ka sulmuar – therur me thikë të dyshuarin (B.G.) duke i shkaktuar lëndime trupore. Lidhur me këtë ngjarje nga njësitet kompetente të stacionit policor Jugu në Prishtinë janë ndërmarr veprime ligjore me që rast iniciuar tri raste penale: “Sulm-lëndim trupor, Lëndim i rëndë trupor dhe Kanosje, specifikuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në komunikatën e PK-së.Reklamë
Gjatë procesit intensiv të hetimit të rasteve dhe masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës deri në këtë fazë është arritur që: janë intervistuar disa persona në cilësi të dëshmitarit, si dhe janë ngritur tri (3) tri kallëzime penale nga ana e hetuesisë së stacionit policor Jugu në Prishtinë.