Policia e shkel ligjin, rekomandon për kontratë kompaninë nën administrimin e BQK-së

36
policia-e-shkel-ligjin,-rekomandon-per-kontrate-kompanine-nen-administrimin-e-bqk-se

Vështirësi të mëdha po i dalin çdo herë zyrës së prokurimit të Policisë së Kosovës në realizmin e tenderit për “Shërbimet e sigurimit të automjeteve TPL, TPL Plus dhe Kasko”.

Për disa javë shumë automjete qëndruan pa sigurim dhe polica u detyrua të procedojë me negocim dy kontrata në fillim të këtij viti për sigurimin e automjeteve.

Më 1 Maj, prokurimi i policisë hapi ofertë të re për këtë punë, ndërsa me datë 12 Maj ka bërë njoftim për fituesin, ku u përzgjodh kompania “Kosova e Re”, shkruan lajmi.net.

“Kosova e Re” aktualisht është nën mbikëqyrje nga Banka Qendrore e Kosovës e cila është nën Administrim te përkohshëm për mospërmbushje te detyrimeve ndaj BQK-se, dhe në këtë pikë prokurimi ka bërë shkelje kur ka rekomanduar për kontratë këtë kompani.

Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik tek kapitulli “Pranushmeria e Kandidatëve ose Tenderuesve”, flet se kur një kompani nuk ka të drejtë të garojë për një kontratë në institucionet publike.

“4. Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik: 4.1. gjatë dy viteve të kaluara është shpallur nga një gjykatë kompetente si i falimentuar ose insolvent, ose aktualisht është në procedurë: (i) të falimentimit, (ii) të pranimit të urdhrit për likuidim ose përmbyllje të aktiviteteve ose administrimit nga gjykata ose (iii) ndonjë procedurë tjetër të ngjashme sipas ligjit të Kosovës ose ndonjë juridiksioni tjetër.  4.2. me vendim të një gjykate kompetente është likuiduar ose është vënë në mbikëqyrje të administratorit; 4.3. aktualisht ka një marrëveshje ose aranzhim me kreditorët e tij që siguron kushte të zgjeruara ose të reduktuara të pagimit nëse mbi kushtet e tilla janë pajtuar paraprakisht kreditorët e tillë për shkak se operatori ekonomik më parë ka qenë i paaftë që të përmbushë obligimet e tij në afatin e duhur kohor; 4.4. është në një situatë të ngjashme me ato të përshkruara në nën-paragrafët 4.1, 4.2. të këtij neni”, thuhet shprehimisht në nenin  65 të LPP-së tek pika 4.

Ditë më parë, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së e ka konfirmuar se siguruesi “Kosova e Re” është nën administrim të përkohshëm.

“Ju informoj se si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare të siguruesit. Kompania vazhdon të jetë nën administrim dhe Administratori ka njoftuar BQK-në lidhur me procesin e administrimit, si dhe ka kërkuar nga aksionari plotësimin e kërkesave ligjore për kapital, gjë të cilën aksionari ka mundësi t’i plotësojë deri më 30 qershor 2021”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.

Prokurimi komunal këtë tender e ka ndarë në dy lote, dhe “Kosova e Re” ka fituar pjesën e parë me çmim prej  310449, 80 euro. Kompania “Eurosig”, ka pasur çmim 310635, 18 euro, Kompania “Prisig”, 1303393, 51 euro, kompania “Dukagjin”, ka çmim prej 310773, 43 euro.

Kompania e Sigurimeve “Eurosig” është ankuar në zyrën e prokurimit të policisë më t’u shpallur fituesi, ku ka shfaqur disa pretendime. Në mesin e tyre ka qenë edhe një pikë ankimore se kompania fituese nuk mund të shpërblehet me kontratë ngase është nën administrim dhe kjo bije ndesh me një nen të LPP-së.

Por, të gjitha pikat ankimore i janë hedhur poshtë dhe është lënë në fuqi, ‘njoftimi për dhënie të kontratës’. Për këtë pikë, policia është arsyetuar se. “Sa i përket pretendimeve se është shkelur neni 65, ju informojmë së për këtë kompani nuk ka ndonjë vendim gjyqësor kompetent që kompania në fjalë ka falimentuar. Po qe se kompania në fjalë ka falimentuar atëherë do t’i revokohej licenca nga ana e Bankës Qendrore”, thuhet në arsyetimin e zyrës së prokurimit të Policisë së Kosovës.

Me datë 27 Maj, prokurimi e ka pezulluar procedurën, pasi derisa OSHP-ja të marr vendim për këtë lëndë, ndërsa dihet që “Gjykata e Tenderëve” ende nuk ka bord funksional dhe nuk do të mund të jepet një verdikt edhe disa javë, ndërsa admistrimi i “Kosova e Re” nga BQK përfundon me 30 qershor.