Dënohet sërish me 13 vite burgim ish-polici i akuzuar për tentim vrasjen e ish-gruas

59
denohet-serish-me-13-vite-burgim-ish-polici-i-akuzuar-per-tentim-vrasjen-e-ish-gruas

Gjykata Themelore në Prishtinë, ish-policin, Artim Gashin për të dytën herë e ka dënuar me 13 vjet burgim pasi akuzohej për tentim vrasjen e ish-gruas.

Aktgjykimi është shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi.

Sipas gjykatësit Foniqi, gjykata të akuzuarin Gashi nuk e ka gjetur fajtor për vrasje të rëndë në tentativë nga neni 173, pika 1,3 dhe 1.8 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por është gjetur fajtor për veprën penale vrasje në tentativë, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

“Trupi gjykues me shumicë votash ka ardhur në përfundim se i akuzuari Gashi nuk e ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë”, ka thënë ka thënë gjykatësi Foniqi gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Sipas tij, i akuzuari nuk ka pse t’i hakmerret te dëmtuarës,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Si dhe sa i përket hakmarrjes, Artim Gashi nuk ka pas çka mu hakmarrë te e dëmtuara B.C sepse gjykata nuk ka gjet që e njëjta ka bërë diçka ndaj tij që ai të hakmerret”, ka thënë gjykatësi.

Gjykatësi Foniqi ka thënë se të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 4 shkurti 2017 derisa do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi por jo më shumë se dënimi i shqiptuar sot.

I njëjti, është detyruar që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë paushallin gjyqësorë në shumë prej 200 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Arma më të cilën pretendohet se ishte kryer vepra penale, sipas gjykatësit Foniqit do t’i kthehet Policisë së Kosovës.

E dëmtuara B.C., për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator 2018, e kishte dënuar me 15 vjet burgim ish-policin Artim Gashi, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur prokuroria, e cila kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga kjo e fundit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim.

Në anën tjetër, kthimin e rastit në rigjykim e kishin kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Sevdali Zejnullahu.

Kurse, Gjykata e Apelit, kishte marrë aktvendim duke pranuar ankesat e palëve ndërgjyqëse dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 shtator 2020, e kishte shpallur sërish fajtor të akuzuarin Artim Gashi dhe e kishte dënuar me 13 vite burgim.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Apelit, më 17 dhjetor 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, me sugjerimin që të caktohet një super ekspertizë, ku së paku njëri prej ekspertëve të jetë profesor universitar i lëmisë përkatëse. Sipas Apelit, pasi të merret ekspertiza, e njëjta të vlerësohet dhe të vendoset sipas ligjit.

Sipas aktakuzës së plotësuar më 23 mars 2021, Artim Gashi po akuzohet se më 4 shkurt 2017, rreth orës 09:30, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën B.C, e cila ishte nisur për provim në fakultet, e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë.

Mirëpo, sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e kishte goditur me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia kishte këputur indet e syrit të majtë, ndërsa plumbi kishte depërtuar në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘ rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin. Aty thuhet se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashin me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.8. lidhur me nenin 28 të KPRK-së.