Versioni i policëve për rrahjen në Gjilan: Ia kanë thy kolegut shishen e birrës në kokë

59
versioni-i-policeve-per-rrahjen-ne-gjilan:-ia-kane-thy-kolegut-shishen-e-birres-ne-koke

U publikua rrëfimi i A. I., i cili së bashku me tre familjarët e tij (vëllain, A.I dhe dy djemtë e hallës së tij, A. K. dhe A.E.) i kanë denoncuar në Inspektoratin Policor gjashtë zyrtarë policorë, për të cilët pretendojnë se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, mbrëmjen së shtunës, në lokalin “Mono”, në Gjilan.

Lidhur me këtë rast, media ka siguruar edhe përmbajtjen e deklaratës së njërit prej zyrtarëve policorë, të cilën ai e ka dhënë në stacion policor, natën kur ndodhi ngjarja.

Si nisi incidenti dhe pse u ndalën dritat e lokalit, sipas zyrtarëve të përfshirë në këtë rast?

Sipas policit (emër i njohur për redaksinë), e gjithë ngjarja ka nisur kur katër të rinjtë kanë refuzuar që të kryejnë pagesën dhe të largohen nga lokali, kur një gjë e tillë u është kërkuar nga kamarieri.Reklamë

Në atë moment, sipas policit në fjalë, në lokal kanë qenë të pranishëm rreth 30 persona dhe dritat e mëdha, si dhe muzika janë fikur, për t’iu kërkuar mysafirëve që ta lirojnë lokalin për shkak të orës policore.

Në deklaratën e dhënë para hetuesve policorë, ky polic thotë se katër të rinjtë kanë refuzuar që të kryejnë pagesën dhe ta lirojnë lokalin, ndërsa A.K. e ka shtyrë kamarierin.

Për të kuptuar se ky është problemi mes të rinjve dhe kamarierit, ai thotë se te tavolina e të rinjve janë afruar dy zyrtarë policorë.

Si erdhi deri te përfshirja e policëve në këtë rast?

Kur policët kanë arritur te tavolina, sipas tij, A.K., e ka ofenduar zyrtarin policor me iniciale A.R., dhe “për një moment e ka marrë shishen e birrës dhe me të e ka goditur 4 deri në 5 herë, derisa ia ka thyer shishen në kokë”.

Me këtë rast, ai thotë se zyrtarët e tjerë policorë që kanë qenë në lokal, kanë reaguar që t’i largojnë të dyshuarit.

Pastaj, polici i denoncuar thotë se ai bashkë me zyrtarët e tjerë policorë janë afruar për t’i ofruar ndihmë kolegut të tyre, i cili, siç deklaron ai, “ka qenë i gjakosur në kokë dhe fytyrë” nga goditjet të cilat pretendon se i ka marrë me shishe të birrës nga A.K.

Kush i largoi katër të rinjtë nga lokali?

Polici në fjalë ka deklaruar se personat e tjerë që kanë qenë të pranishëm në lokal, i kanë larguar nga lokali katër të rinjtë të cilët deklaron se “kanë qenë në gjendje të dehur, pasi sapo ishin kthyer nga një aheng familjar”.

Ai e ka mohuar se ndonjëri nga të rinjtë është alivanosur në lokal ose jashtë lokalit.

Polici ka thënë se ka parë që të rinjtë, për të cilët pretendon se kanë qenë në gjendje të dehur, teksa “janë rrëzuar mbi tavolina dhe karriga, duke rezistuar, derisa të tjerët po tentonin t’i nxirrnin jashtë”.

Çfarë ndodhi kur erdhi patrulla e policisë në vendin e ngjarjes?

Në vendin e ngjarjes kishte dalë policia, të cilët pasi i kishin dërguar katër të rinjtë në Emergjencë për trajtim mjekësor, kishin arrestuar A.K., si të dyshuar për veprat penale “Sulm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Prokuroria Themelore në Gjilan kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij rajoni caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj A.K.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, më 22 maj 2021, ka ndaluar të pandehurin A.K., dhe ndaj tij ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘Sulm’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Mirëpo, në seancën e parë dëgjimore, Arsim Vranovci, avokati i A.K., tha për Sinjalin se masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, dy herë në javë.

A.K., sipas rrëfimit të policit, dyshohet se është person me precedent penal, pasi që ka qenë i dyshuar për përfshirje në vepra penale, si: “Vrasje në tentativë” (dy raste), “Vjedhje të rëndë” (disa raste), “Vjedhje”, “Posedim dhe Shpërndarje e narkotikëve”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë?

Meqë janë të përfshirë edhe zyrtarët policorë, me rastin ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ku të rinjtë kanë bërë denoncimin e tyre kundër gjashtë zyrtarëve policorë, për “Tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës”.

Ndërkaq dje, dy ditë pas nisjes së hetimeve, Inspektorati Policor ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.

“Rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policorë ka ardhur pas analizimit të ankesës dhe shkresave tjera (raporteve mjekësore dhe fotografive) të cilat IPK i ka siguruar gjatë veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftim i IPK-së.