LDK: Çështja e reciprocitetit shpërfaq mashtrim dhe tregon papërgjegjësinë e Qeverisë

83
ldk:-ceshtja-e-reciprocitetit-shperfaq-mashtrim-dhe-tregon-papergjegjesine-e-qeverise

Halimi ka shkruar se çështja e reciprocitetit është tregues për seriozitetin dhe përgjegjësinë publike që e ka kjo qeveri.

“Premtimet gjatë fushatave elektorale nga partitë politike janë të një rëndësie të posaçme, e cila më të marrë timonin e shtetit, i shërbejnë hartimit të programit qeverisës dhe parimet kryesore të qeverisjes së mirë.
Nëse premtimet nuk korrespondojnë me programin dhe zbatimin e tyre, shpërfaq mashtrimin ose papjekurinë për të vlerësuar gjendjen reale.
Andaj, edhe çështja e premtimit të reciprocitetit, me përsëritjen se është njëra prej gjërave të para që do të bëhen, e pastaj ndryshimi rrënjësor, tregon shumë për seriozitetin ndaj qasjes së çështjes si dhe papërgjegjësinë publike ndaj fjalës së dhënë”, ka shkruar Halimi.

I gjithë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje që prej themelimit ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Paradoksalisht, sot që LVV është në pushtet, Qeveria nuk e sheh zgjidhje reciprocitetin me Serbinë.

Para se Albin Kurti të vinte në pushtet për herë të parë, reciprociteti ishte zotimi më i përsëritur i tij. Edhe para zgjedhjeve të fundit, ai pati thënë se reciprociteti do të ishte çështje ditësh apo javësh, e assesi çështje muajsh se kur do të vendosej pasi ai të ulej edhe njëherë në karrigen e kryeministrit. Këto deklarata Kurti i pati bërë në paraqitjen e fundit publike të tij në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit.

Por dje, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të problemeve.

“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, ka deklaruar Hajdari.