Hajnat mësyjnë shtëpitë e drejtuesve të PDK-së

37
hajnat-mesyjne-shtepite-e-drejtuesve-te-pdk-se

Vikendin e kaloi larg shtëpisë ku u vendos rishtazi. Në pronën e Mërgim Lushtakut afër lagjes private ‘Lagja jonë’ në Lapnasellë megjithatë pati vizitorë, të paftuar. Deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, hajdutët i vodhën stoli ari me vlerë të konsiderueshme e madje edhe një armë me dy karikatorë, për të cilën posedonte leje.

Klan Kosova vizitoi Lushtakun në shtëpinë e tij i cili tregoi se rasti ka ndodhur gjatë vikendit por të njëjtin e raportoi tek të hënën mbrëma pasi u kthyen në shtëpi. Thotë se ka disa persona tek të cilët dyshon por për shkak të hetimeve nuk mund të flas më tepër detaje, e as para kamerës.

Organet e rendit e konfirmuan se po merren me këtë vjedhje, e ndërkohë që hetimet vazhdojnë deri këtë pasdite nuk është arrestuar askush për veprën.

Edhe vendbanimi i kreut të PDK-së Enver Hoxhaj ishte cak i hajdutëve, po gjatë vikendit që shkoi.

Rasti është raportuar në polici nga bashkëshortja e Hoxhajt e cila përveç që e konfirmoi raportimin e saj nuk ka dashur të jap më tepër detaje.

Ndonëse janë të së njëjtit subjekt, deputeti Lushtaku vlerëson se kjo rastësi nuk lidhet me përkatësinë partiake ngase as nuk ishin në dijeni për vjedhjet që ngjanë tek njëri-tjetri.