Dialogu me Doganën i rëndësishëm për lehtësimin e operacioneve biznesore

59
dialogu-me-doganen-i-rendesishem-per-lehtesimin-e-operacioneve-biznesore

 

Me qëllim të lehtësimit të dialogut midis kompanive të sektorit privat dhe Doganës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar tryezë diskutimi me drejtorin e ri të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm në Doganën e Kosovës, tha se synimi i Doganës është krijimi i kushteve për trajtimin e barabartë për të gjitha bizneset dhe lehtësimi i procedurave doganore përmes avancimeve teknologjike që ofrojnë komunikim dhe qasje më të lehtë për bizneset në proceset e zhvilluara nga dogana.

Ai tutje theksoi se ndihmë kryesore do t’u ofrojnë sektorit tregtar, prodhues dhe eksportit në vendin tonë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se Dogana është njëra ndër institucionet më me ndikim në punën e shumë ndërmarrjeve në vend, prandaj fuqizimi i dialogut me këtë institucion është interes i vazhdueshëm i sektorit privat dhe i përfaqësuesve të tyre.

Ndërsa, Avni Krasniqi, kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganës në Odën Amerikane, tha se falë bashkëpunimit të ngushtë dhe dialogut të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, është bërë e mundur të lehtësohen në vazhdimësi procedurat e zhdoganimit të mallrave dhe procedurat e tjera që lidhen me doganën, duke theksuar se ky institucion është shembull në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të pranishme në takim ngritën shqetësime të ndryshme që lidhen me rolin e Doganës si çështja e rivlerësimit dhe klasifikimit të mallrave, trajtimin e importeve paralele dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, por edhe luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës, thuhet në komunikatë.

The post Dialogu me Doganën i rëndësishëm për lehtësimin e operacioneve biznesore appeared first on Gazeta Press.