Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka theksuar se nga fillimi i pandemisë, prej kur janë ndërruar tri qeveri, nuk është parë një plan konkret qeverisës për rimëkëmbje të ekonomisë.
Lexo edhe:
Tahiri kërkon sqarim nga Kurti: Kush janë kriminelët e luftës në institucione?
“Kryeministri një nga seancat e para është lavdëruar me doktor shkencat që i ka, sidomos në fushën e ekonomisë. Dhe tash nga ata nuk po shohim angazhim konkret dhe plane konkrete, masa konkrete për me i sanuar dëmet dhe me filluar një etapë të re të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Nga ministri i Financave më së paku kisha dashur të dëgjojë atë që dëgjuam. Dhe të jetë sa më konkret për angazhimin e tij edhe në raport për planin për rimëkëmbje ekonomike edhe në raport me shtesat që u përmendën”, tha ai.
Tahiri ka shtuar se shtesat për këto kategori kanë qenë të domosdoshme, duke ditur që vendi dhe e gjithë bota ende po vazhdon përballjen me pandeminë.
“Kur po flasim a janë zbritur shtesat, a nuk janë zbritur shtesat ne e dimë që në janar ka qenë vendimi për tre muaj. Zotëri ministër mendoj që nuk kishte prishur punë edhe nëse do ta kishit sjell në rishikim buxhetin e Kosovës. Edhe nëse do të ishin shkurtuar projektet në infrastrukturë, apo në projektet tjera të cilat nuk kanë emergjencë qysh ka shëndeti i qytetarëve. Shtesa për derisa vazhdon pandemia, përderisa OBSh nuk e shpall të mbyllur luftën ndaj pandemisë, që të vazhdojnë në raport me pensionistët ka qenë jashtëzakonisht e domosdoshme”, ka shtuar Tahiri.
Më tej, potencoi se është mirë që ky vendim të rishikohet.
“Zotëri ministër mendoj që një vendim i tillë duhet të rishikohet. Mirë që nuk ua ke zbritur krejt në kohën si kanë qenë para janarit. Ua ke lënë 10 euro shtesë. Mirëpo, është dashur që kjo çështje nuk duhet të shihet si betejë politikë, duhet të shihet si një angazhim i gjithë qytetarëve të Kosovës për shëndetin e këtyre kategorive që rrezikohen më së shumti nga pandemia”, deklaroi Tahiri.
Interpelanca e ftuar nga AAK për çështjen e shtesave po vazhdon. Ndërkohë që Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Kurti sqarim në lidhje me deklaratat e tij në Bruksel.