Gezim Kastrati, 50-vjeç, u vra me armë zjarri dje, pak metra larg banesës së tij në Pejë. I dyshuari kryesor është Xhevdet Januzaj, ish- kujdestari i klasës së vajzës së viktimës në shkollën “Dardania” në Pejë.
Kastrati kishte komunikuar me djalin e tij të vetëm në ditën kur u vra.
Ai e kishte porositur të birin e tij që të kishte kujdes dhe kur të mbërrinte nga Prishtina në Pejë ta njoftonte, pasi i kishte thënë se ndiheshin të rrezikuar nga Xhevdet Januzaj, tashmë në arrati.
Teksa djali i viktimës rrëfeu ngjarjen për Gazetën Express sesi kishte ardhur deri të vrasja, ai tha se në ditën tragjike ka pasur komunikim me babanë e tij, tashmë të ndjerë, i cili i ka kërkuar që kur të mbërrijë në Pejë ta njoftonte me telefon në mënyrë që të dilte për ta marrë.
“Në ditën tragjike kam pas komunikim me babain dhe më ka thënë kur të vish në Pejë, thirrëm në telefon e dal me të marrë se është ka na ruan. Ruaju sa të mundesh ka thënë edhe nëpër Prishtine sa të jesh atje. Se ka thënë mos po të vjen atje”, tha ai.
“Më ka thënë që po del në qytet me ble do bukë, babi u ulë tani në lokal, ai ka ardh dhe e ka vra. Edhe babi ka qenë i armatosur, veç babit nuk i ka shkrep revolja. Ata kanë qenë në lokal, saktësisht se di qysh ka ndodh rasti. E di që ka qenë në lokal, dytë i kanë nxjerrë revolet veç se ai e ka vra babin”, shtoi ai.
Djali tha se vazhdojnë të ndihen të rrezikuar, teksa kërkoi që sa më shpejt dorasi të vihet në pranga.
“Ndihemi të rrezikuar pasi ai ndodhet në arrati. Mbrëmë e kanë çuar policinë te banesa me na rujtë. Kanë mujtë me çu ma herët policinë edhe mos me ndodh ky rast”.
“Duhet sa më shpejt me ndërmarrë masa, me arrestu dorasin, mos me u ndi ne të tjerët të kërcënuar. Edhe me i marrë senet ma seriozisht, kur të shkon dikush me lajmërua ndonjë kërcënim, e jo me thanë a të ka kërcënu personalisht. Përderisa është një problem me një person edhe të vjen te banesa, për çka po të vjen ai me sakicë. Ajo u kanë kërcënim edhe policia ka thënë se ka drejt me ardhë, deklarata është në polici që babai e ka dhënë me datë 17 maj, rreth orës 22:00”, rrëfen më tej djali i viktimës.