Komisioni për Buxhet kërkon sqarime për tejkalimin e buxhetit

48
komisioni-per-buxhet-kerkon-sqarime-per-tejkalimin-e-buxhetit

 

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere është shqyrtuar raporti vjetor financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020, për të cilin ka raportuar Miran Zeneli, sekretar i përgjithshëm i këtij Këshilli, i cili theksoi se nga buxheti prej 360 mijë euro kanë shpenzuar 273 mijë euro, prej tyre 195 mijë euro paga dhe mëditje, si dhe për mallra dhe shërbime 77 mijë euro.

Zeneli tha se shpenzimet e këtij buxheti janë bërë në pajtim me ligjin në fuqi. Ndërsa, deputeti nga Vetëvendosje Visar Korenica ka ngritur çështjen e rritjes së shpenzimeve për paga pas orarit të punës dhe rritjen e shpenzimeve për dreka dhe darka, e po ashtu edhe për uljen e shpenzimeve për sigurimin e automjeteve edhe pse sipas tij, ka rritje të çmimit të primit.

“Në lidhje me punën jashtë orarit, për shërbime, kush ka punuar për këtë? A janë zyrtarë financiarë apo të tjerë? Shihet në raport se keni mungesë të stafit të brendshëm. Duhet të jeni më konkretë pasi që nuk janë përmbledhur për cilin shërbim është bërë kjo pagesë”, tha Korenica.

Zeneli i është përgjigjur deputetit Korenica se në mungesë të stafit, kanë angazhuar zyrtarë për punë shtesë.

“Na janë dashur 5 mijë e 500 euro si shtesë për t’i mbuluar si punë jashtë orarit që i kemi angazhuar zyrtarët me punë për aktivitete financiare, rreth shfrytëzimit të buxhetit. Buxheti i pamjaftueshëm nga qeveria për staf shtesë (katër zyrtarë), dhe akoma këto pozita janë të lira. Ne jemi të detyruar domosdo të angazhojmë zyrtarin shpenzues, zyrtarin certifikues, zyrtarin zotues dhe zyrtari për pranimin e mallit. Këta katër zyrtarë janë të angazhuar për punë shtesë”, tha Zeneli.

Ndërsa, Islam Caka zyrtar financiar në Këshill, tha se sa i përket tejkalimit të shpenzimeve për dreka është një shumë e vogël. Ndërsa, sa i përket sigurimeve, Caka tha se numri i automjeteve në Këshill është zvogëluar.

Pas shqyrtimit dhe tentimit për votim të raportit ka ndërhyrë deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, i cili tha se si Komision janë duke u ngutur për shqyrtimin e raporteve të organizatave buxhetore pa pasur edhe raportin final të auditorit.

“Jemi duke u ngutur me shqyrtimin e raporteve të tilla përpara se raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të finalizohet ose të publikohet. Ky Komision ka për qëllim t’i shqyrtojë raportet financiare vjetore të organizatave buxhetore për të parë përputhshmërinë, planifikimin edhe a janë shpenzuar në mënyrë të duhur ato shpenzime. Pra, në këtë moment nuk mund të konstatojmë pa i pranuar përgjigjet nga këta (auditori) se si ka me qenë raporti final”, tha Hoti.

Pas këtij sugjerimi të anëtarit Hoti, Komisioni ka shtyrë votimin e këtij raporti deri në kompletimin edhe të raportit të auditorit.

Komisioni sot kishte paraparë edhe shqyrtimin e Raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për të gjeturat e Raportit të Progresit për vitin 2020, për të cilin raport do të kishte raportuar guvernatori Fehmi Mehmeti, por për shkak të vazhdimit të seancës plenare sot në orën 11:00 për planin e qeverisë, me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja, është shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

Komisioni me shumicë votash ka miratuar Raportin vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020, i cili ishte shqyrtuar në mbledhjen e javës së kaluar të Komisionit.

The post Komisioni për Buxhet kërkon sqarime për tejkalimin e buxhetit appeared first on Gazeta Press.