Bajrami-Kurtit: Si mendoni të bëheni shtet social duke hyrë në borxh?

53
bajrami-kurtit:-si-mendoni-te-beheni-shtet-social-duke-hyre-ne-borxh?

 

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se programi qeverisës i prezantuar sot nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka buxhet, afate kohore e as institucione përgjegjëse. Programin qeverisës, ish ministrja e Financave e ka quajtur populistë për çka ka pyetur kryeministrin dhe ministrat se si do të gjejnë zbatim masat e parapara, derisa ka deklaruar që shteti nuk duhet të dyfishojë borxhin publik për masa sociale.

Bajrami, e cila në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Avdullah Hoti e ka drejtuar Ministrinë e Financave, ka thënë se Kurti me kabinetin e tij të vetmin kalkulim që e ka në bërë është ai i rritjes së votave për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Zoti kryeministër, ju nuk mund të luftoni varfërinë pa zhvillim ekonomik, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me masa e vendime të tilla, një shtet normal nuk e dyfishon borxhi publik për masa sociale, brenda katër viteve keni paraparë të merrni një miliard e 690 milionë euro kredi, për çka kryeministër, për të mirëmbajtur simpatinë e qytetarëve. Nuk preferohet me hy në borxh për masa sociale. Më lejoni të ju njoftoj se asnjë institucion financiar ndërkombëtar nuk ju jep kredi nëse ju prezantoni masa të reja. Në kredi hyhet me ndërtu projekte kapitale”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka deklaruar se në program nuk ka qartësi sa i përket rimëkëmbjes ekonomike dhe mungon analiza për efektet e masave.

“Sa kushtojnë këto masa kryeministër, zëvendëskryeministër, a e dini këtë ju, a e di ministri i financave. Qysh mendoni me u bë shtet social duke hy në borxh. Në kornizën afatmesme të shpenzimeve, të parashikimet fiskale, buxheti për vitin 2022 do të jetë vetëm 72 milionë më i lartë se ai i këtij viti, për vitin 2023 do të jetë 84 milionë me i lartë se i vitit paraprak, dhe për vitin 2024 do të jetë vetëm 98 milionë me i lartë. Ju nuk keni bërë llogari për masat, a e dini se me një llogaritje shumë të thjeshtë vetëm shtesat e fëmijëve u kushtojnë 62 milionë euro në vit, çka me masat e tjera”, ka thënë ajo.

Masat e parapara në programin qeverisës, LDK i ka cilësuar si populiste për çka sipas Bajramit, hartuesit kanë menduar vetëm për rritje elektorale.

Sipas Bajramit, ato janë në kundërshtim edhe me vendimet e para të qeverisë Kurti.

“Kur thoni se do të vaksinoni 60% të qytetarëve të grupmoshave që duhet vaksinuar, na thoni se cilat janë ato grupmosha, sepse ende nuk e keni të qartë, vendet e tjera po i vaksinojnë të gjithë qytetarët mbi moshën 60 vjeçare. Rritja e pagës 250 euro për muaj, kur do të bëhet kjo, a do të rriten pagesat e veteranëve dhe kur, edhe veteranët, edhe qytetaret, sidomos ata të punësuar në sektorin privat që janë 240 mijë po presin se kur ky vendim do të hyjë në fuqi”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se ndihma e duhur për bizneset është vaksinimi i qytetarëve, çka sipas saj, do të mundësonte kthimin në normalitetit të bizneseve.

The post Bajrami-Kurtit: Si mendoni të bëheni shtet social duke hyrë në borxh? appeared first on Gazeta Press.