Gazetari kishte incizuar sulmin ndaj tij, Prokuroria e fton në intervistim për vepër penale

202
gazetari-kishte-incizuar-sulmin-ndaj-tij,-prokuroria-e-fton-ne-intervistim-per-veper-penale

Prokuroria Themelore  e Gjakovës ka reaguar ndaj raportimit për thirrje në intervistim të gazetarit Mentor Gjergjaj. Në reagim thuhet se ai po thirret për veprën penale të incizimit të paautorizuar. Gazetari tregon se ka incizuar një person që e kishte kërcënuar atë dhe ekipin e tij, gjatë raportimit për një vdekje të dyshimtë në Gjakovë.

Gazetari Mentor Gjergjaj ka njoftuar dje se tri vjet më parë, derisa po raportonte për një rast në Gjakovë, ekipi ishte sulmuar nga një familjar i personit që ishte gjetur i vdekur. Gazetari e ka incizuar sulmin dhe ia ka dorëzuar Prokurorisë, pa e publikuar asnjëherë diku tjetër.

Prokuroria ka vendosur që ta thërras Gjergjajn, por jo si viktimë e kanosjes gjatë raportimit, por për ta intervistuar si të dyshuar.

Pas raportimit të Gazetës Express për rastin, prokuroria ka dërguar një reagim, ku thotë se Gjergjaj po intervistohet për veprën penale ”Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

“Shkrimi i publikuar në portalin Express, më  15 maj 2021, me titullin “Prokuroria e Gjakovës nuk respekton urdhëresën e Aleksander Lumezit, fton në intervistim gazetarin Mentor Gjergjaj”, ju njoftojmë që nuk qëndron dhe një konstatim i tillë  është i pavërtetë, duke qenë se Prokurori i rastit ka ftuar në intervistim gazetarin Mentor Gjergjaj, për veprën penale ”Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, e cila nuk përket me udhëzuesin detyrues të Kryeprokurorit të Shtetit Aleksander Lumezi, që ka të bëjë me mbrojtjen e burimeve të informacionit të gazetarëve”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Ndryshe, kjo jo nuk është hera e parë që gjatë këtij viti, Prokuroria ka ftuar gazetarët për intervistim për shkak të punës së tyre. Pas rastit të intervistimit të gazetarëve të Insajderit disa javë më parë, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që të mos thirren në intervistim gazetarët dhe të shmanget ndërmarrja e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë.

Ndërkaq, deri më sot, prokuroria ka ngecur në shumë raste të sulmeve të gazetarëve. Shumica e sulmeve ndaj gazetareve të viteve të fundit nuk janë zbardhur kurrë.