Sllovenia e do rajonin bllok në BE

135
sllovenia-e-do-rajonin-bllok-ne-be

Nga Beogradi, Pahor shpalosi idenë që ky thotë se shteti i tij që e merr presidencën e Unionit nga 1 korriku, do ta shtyjë fort.

Bëhet fjalë për anëtarësimin në bllok të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Kur shihni numrin e popullatës që e kanë këto vende mbi 10 milion banorë, kjo nuk paraqet ndonjë sfidë për Evropën sikur që do të ishte anëtarësimi i Turqisë e cila negocion tash e 50 vjet. Duket se disa çështje që janë bilaterale mes shteteve të Ballkanit Perëndimor do të zgjidheshin më lehtë apo do bëheshin të parëndësishme me hyrjen e përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Sipas kryetarit slloven, kjo është një çështje gjeostrategjike dhe se 27 vendet anëtare të BE-së duhet të kenë qëndrim të qartë mbi këtë.

Te integrimet evropiane, pak a shumë Borut Pahor u pajtua me homologun serb Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se kur flitet për kufijtë e rajonit, ka dy rrëfime.

Njëra që Kosova është pjesë e Serbisë dhe tjetra nga shumë vende të botës që e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran.

Presidenti slloven mbetet te qëndrimi se s’ka ndryshim të kufijve në Ballkan, transmeton Klan Kosova.

“Më së gjati me Vuçiqin, ne biseduam për këtë çështje. E kuptoj se pas tragjedive të viteve 90 që kanë ndodhur në rajon ka ardhur deri te formimi i kufijve të rinj me shpresën që pas kësaj do të zotërojë paqja, stabiliteti dhe perspektiva euro-atlantike për ata që duan këtë. Në këtë kam menduar kur kam thënë se nuk besoj që është i mundur ndryshimi paqësor i kufijve. Ndoshta kështu do të niste, por jam i sigurt se nuk do përfundonte njëjtë”.

Borut Pahor të hënën e 17 majit është nikoqir i liderëve të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës, Shqipërisë e Serbisë në Samitin e Brdos.

Për deklaratën e përbashkët e kësaj mbledhje, Vuçiq tha se Beogradi ndërhyri që kur të flitet për kufijtë, klauzola të jetë sipas rregullave të OKB-së e rezolutave të saj.