​Padia kundër Serbisë, Osmani: Përgatitjet kërkojnë hulumtim të thellë

425
​padia-kunder-serbise,-osmani:-pergatitjet-kerkojne-hulumtim-te-thelle

“Ne duhet të kemi vetëbesim. Pavarësisht se kush mund të shtyjë para ndryshimin të kufijve apo të publikojë non papers të tillë, përfaqësuesit e Kosovës asnjëherë nuk do të përkrahin ato”, tha ajo në një konferencë të përbashkët për media me presidentin slloven Borut Pahor.

Osmani ka folur edhe për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë në gjykatën ndërkombëtare.

“Për secilin që i njoh për së afërmi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxirret një qëndrim i qartë që qëllimi i forcave serbe ishte shfarosja. Pjesa e përgatitjes për padi kërkon hulumtim tepër të thellë. Do të bashkëpunojmë me secilin shtet që na ndihmon të vendosim drejtësi”, ka thënë Osmani.

Qeveria e Kosovës po planifikon që në fund të vitit 2022 të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Në ekspozenë e tij, kryeministri Albin Kurti, me rastin e marrjes së besimit nga Kuvendit i Kosovës për formimin e qeverisë, më 22 mars, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës, synon që të realizohet ngritja e padisë ndaj krimit të gjenocidit serb në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj një obligim”, tha Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar.

Kurti tha se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë nuk mund dhe nuk duhet të humbet”.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuҫiq.

Ndryshe, në vitin 1999, Kroacia ngriti padi ndaj Serbisë në GJND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995. Në 2010, Serbia paraqiti një kundër-padi ndaj shtetit kroat. Në vitin 2015 GJND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra-tjetrës. Ndërsa, sa i përket Srebrenicës, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjës, kanë përbërë gjenocid, por Gjykata tha, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin e në të njëjtën kohë nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.