Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan ka deklaruar se shteti i tij e ka njohur pavarësinë e Kosovës nën presion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mos më kuptoni gabimisht, kjo është një temë e rëndësishme por bëhet fjalë për diçka tjetër. Vendimi i Izraelit për njohjen e Kosovës është marrë nën presion të Amerikës edhe pse nuk duhet harruar se kjo erdhi si rezultat i marrëveshjes mes Serbisë, Kosovës dhe SHBA-së, dhe jo me ne”, deklaroi ai për “TV Prva”, transmeton Rahovec.net.
“Nuk mundohem të fshihem pas kësaj, atë vendim e mori Izraeli pas shumë vitesh që nuk e njihnim Kosovën. Kjo shkon kundër interesave tona në Serbi”, shtoi ai.
Në pyetjen nëse Izraeli do ta konsiderojë vendimin për Kosovën, Ambasadori thotë se nuk dëshiron të lë hapësirë për optimizëm tek opinioni në Serbi.
“Unë në këtë moment nuk e shoh mundësinë. Marrëveshja është arritur, Izraeli e ka njohur Kosovën kurse Kosova do ta zhvendos ambasadën në Jerusalem. Nuk shoh tërheqje të njohjes së Kosovës derisa të dyja palët e kanë pranuar këtë sipas marrëveshjes”, thekspo ai. Në insistimin e gazetarit të “TV Prva” se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës me asnjë marrëveshje, Ambasadori ka thënë se nuk e ka parë dokumentin e marrëveshjes, transmeton Rahovec.net.
“Pse duhet ta shoh unë atë dokument, nuk është marrëveshja ime. Serbia e ka nënshkruar atë dokument. Nuk e kam parë asnjë demantim nga Serbia ose Amerika. Serbia asnjëherë nuk e ka mohuar se ka vendosur nënshkrim. Nuk e kam parë se dikush nga Serbia ka thënë se nuk kanë nënshkruar marrëveshjen, dokumenti ekziston me sa di unë”, theksoi Vilan. /Rahovec.net/