Sheshel kërcënon Kroacinë: Nëse ndërtoni bazë ushtarake në Kosovë, do ta sulmojmë me raketa

58
sheshel-kercenon-kroacine:-nese-ndertoni-baze-ushtarake-ne-kosove,-do-ta-sulmojme-me-raketa

Lideri i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, ka deklaruar për mediat serbe se “kroatët po duan të ndërtojnë bazë ushtarake në shtetin e ‘rremë’ të Kosovës, në mënyrë që t’u japin instruksione që serbëve në Kosovë t’ua bëjnë atë që ua kanë bërë serbëve në Republikën Srpska dhe në Krainë [Kroaci]”.

“Kroatët duhet të paralajmërohen se ajo që po bëjnë nuk është e ligjshme. Ushtarë legalë në Kosovë, kur janë ndërkombëtarë, janë vetëm ata që dërgohen në kuadër të KFOR-it, kurse ata që shkojnë jashtë KFOR-it dhe që bëjnë një bazë të veçantë kroate, për neve kanë statusin e një skuadre banditësh”, ka thënë Sheshel.

Më tej ai ka kërcënuar edhe me sulm raketor ndaj një baze eventuale ushtarake kroate në Kosovë.

“Le të mos habiten nëse një ditë i gjuajmë me raketa dhe shkatërrojmë gjithçka atje, kurse ata që eventualisht do t’i zëmë robër dhe do t’i dënojmë si banditë me burgime të gjata. E drejta ndërkombëtare nuk i mbron ata”, ka thënë Sheshel.

Ai tha se ushtarët kroatë rrezikojnë kokën e tyre, prandaj më mirë të mos shkojnë [në Kosovë].

Ai madje ka thënë si një ndëshkim, për shkak të kësaj shqiptarët duhet të fshihen, duke theksuar se kur e thotë këtë nuk mendon në popullësinë civile dhe njerëzit e zakonshëm.

Ndryshe, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtimin e forcave ushtarake kroate në Kosovë nuk e shohin si provokim ndaj Serbisë.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kroacia po “poshtëronte Serbinë” duke rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, presidenti kroat tha se nëse do ta dinte se Serbia shqetësohej aq shumë, do të kishte biseduar me homologun serb për këtë çështje.

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq Radman, gjatë vizitës së kësaj jave në Kosovë, në takim me Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij të ndërtojë bazë ushtarake në Kosovë.

Ministri kroat ka thënë se ky projekt synon të rris sigurinë në rajon.