“Flakaresha” e Joe Biden për Kurtin për Marrëveshjen e Washingtonit

48
“flakaresha”-e-joe-biden-per-kurtin-per-marreveshjen-e-washingtonit

Përplasjet me Richard Grenellin si një prej njerëzve më të besuar të Donald Trump sa ishte president i SHBA’së dhe shpresa se me ardhjen e Joe Biden në pushtet do të hidhej në bërllok gjithçka ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga Avdullah Hoti, kishin bërë që Albin Kurti të pozicionohej skajshmërisht kundër një produkti amerikan si Marrëveshja e Washingtonit.

Katër ditë pas 4 shtatorit të 2020-ës, Albin Kurti i rrëzuar nga pushteti pas përplasjeve të mëdha me administratën amerikane që drejtohej nga Trump, kishte shkruar se në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk do të ratifikohet asgjë që është nënshkruar nga një “kryeministër jolegjitim” sikurse Avdullah Hoti.

“Kur të kthehemi në detyrë, nuk kemi obligime ndaj zotimeve të një kryeministri të paligjshëm të Kosovës. Nënshkrimi poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, kishte shkruar Albin Kurti.

Ky pozicionim i Kurtit dhe Vetëvendosjes kundër Marrëveshjes së Washingtonit ishte forcuar edhe më tej pas fitores së demokratëve në zgjedhjet amerikane, meqë kishin pritje se ajo që ishte arritur në Shtëpinë e bardhë do të shkonte dëm si pasojë e dallimeve politike mes Joe Biden-it, të cilin Kurti e kishte përkrahu hapur në zgjedhje, dhe Donald Trump-it.

Një goditje të lehtë kësaj qasje të Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Marrëveshjes së Washingtonit ia kishte dhënë, Anthony Blinken, gjatë raportimit në Senatin Amerikan kur pritej konfirmimi i këtij të fundit si Sekretar i Shtetit, pak ditë pas fitores që Joe Biden kishte korrur në zgjedhje.

”Sa për punën që është bërë në rastin e Kosovës dhe Serbisë unë e duartrokas këtë. Siç e dini presidenti i zgjedhur Joe Biden ka shpenzuar shumë kohë në këto vende në të kaluarën. Unë besoj se ai ndan bindjet  e juaja se ka gjëra që ne mund ti bëjnë që të ndihmojmë Kosovën të ecë përpara po ashtu shpresojmë kjo të ndodh edhe me Serbinë”, kishte thënë Blinken.

Megjithatë pavarësisht për fanatikët e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje një deklaratë e tillë e Blinken nuk duhej të kuptohej si përkrahje për Marrëveshjen e Washingtonit dhe sipas tyre zotimet e bëra në White House nuk do të shtyheshin përpara nga Joe Biden.

Por tashmë gjithë këto pritje të Albin Kurtit e Vetëvendosjes janë përmbysur me qëndrimin e betonuar zyrtar të Administratës së presidentit Joe Biden, se Marrëveshja e Washingtonit duhet të implementohet.

“Administrata e Biden ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë baza për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, ka thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett në një intervistë për Radio Televizionin 21.

Qëndrim të njëjtë për Marrëveshjen e Washingtonit, Philip Kosnett, kishte pasur edhe tre javë më herët në një intervistë të dhënë për Rubikon.

“Disa njerëz menduan se Administrata e Biden thjesht do të griste çdo gjë që kishte bërë Administrata Trump. Kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, Administrata e Biden e ka bërë të qartë se mendojmë se një pjesë e madhe e punës së bërë në forcimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në rajon ishte pozitive dhe do të vazhdojmë të punojmë mbi to”, kishte deklaruar Kosnett.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është rikthyer në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në vazhdimësi kishte shprehur rezervat e tij për Marrëveshjen e Washingonit. Thoshte se nga një marrëveshje “s’ka fortë gjëra të mira’ dhe shtonte se ajo marrëveshje duhej të shikohej nga poshtë, meqë sipas tij e vetmja pikë e vlefshme është vendosja e raporteve dhe njohja reciproke me Izraelin./Gazeta Express