Deklarohet Zidane pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve

190
deklarohet-zidane-pas-eliminimit-te-real-madridit-nga-liga-e-kampioneve

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka pranuar se Chelsea ishte ekip dukshëm më i mirë sesa skuadra e tij dhe se e meritoi triumfin në gjysmëfinale dhe rrjedhimisht kalimin në finale të Ligës së Kampionëve.

Timo Werner dhe Mason Mount shënuan për nga një herë për fitoren e Chelseat 2:0 kundër Realit në ndeshjen e kthimit në Stamford Bridge të mërkurën, duke ia siguruar të kaltërve kalimin në finale me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Skuadra e Thomas Tuchel e mbizotëroi plotësisht Realin, veçanërisht në pjesën e dytë kur ka mundur të shënonte shumë herë, sikur mos të ishte për disa pritje mahnitëse të Thibaut Courtois.

Chelsea do të përballet me rivalin e Premierligës, Manchester City, në finalen e 29 majit në Stamboll.

Duke folur pas ndeshjes, Zidane e pranoi se Chelsea e meritoi plotësisht triumfin me rezultat të përgjithshëm 3:1.

“Ata ishin superiorë, ata e merituan fitoren. Ata ishin më efektivë gjatë ndeshjes dhe kishin shumë raste, po ashtu”, tha Zidane.

“Ata e merituan kualifikimin pas dy ndeshjeve. Këto janë ndeshje të nivelit të lartë dhe neve na mungoi diçka sonte”, shtoi ai.

Trajneri francez këmbënguli se është krenar me lojtarët e tij për ecurinë deri në gjysmëfinale.

“Por, gjithsesi, duhet të them se mbes krenar me lojtarët e mi. Duhet ta urojmë veten që kemi arritur këtu. Ishim vetëm një ndeshje larg finales, por sonte ata ishin më të mirë”.

The post Deklarohet Zidane pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve appeared first on RahovecNET.