​Këtë vit pritet miratimi i rregullores së re të Kuvendit

15
​kete-vit-pritet-miratimi-i-rregullores-se-re-te-kuvendit

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës për vite me radhë nuk është miratuar, porse si duket këtë radhë ka vullnet për finalizimin e saj.

Kështu beson kryetari i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili thotë se Kuvendi pritet të bëhet me rregullore të re para sesionit vjeshtor.

“Si kryetar i Komisionit për legjislacion dhe pjesë e grupit punues do të përpiqemi që sa më parë ta kemi rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës, që shqyrtohet dhe miratohet në seancë. Unë nuk po jap afate, por gjithsesi mendoj se duhet të miratohet para sesionit vjeshtor. Kjo nënkupton që brenda verës së këtij viti do të miratohet rregullorja e re”, thotë ai për KosovaPress.

Teksa shprehet optimist se do të miratohet rregullorja e re në një afat të afërt, Rrustemi thotë se kjo e fundit duhet të jetë reflektim i të gjitha palëve.

Ai tregon se përmes rregullores së re synojnë të përmirësojnë efikasitetin e punës në Kuvend, duke marrë praktikat më të mira që janë shfaqur përgjatë viteve.

“Ne synojmë gjatë këtij procesi që të përmirësojmë efikasitetin e Kuvendit të Kosovës, të përfshijmë të gjitha sfidat dhe pengesat që janë hasur gjatë legjislaturave, por edhe të formalizojmë praktikat e mira që janë shfaqur gjatë këtyre viteve. Sa i përket vonesave, kjo duket qartë që në legjislaturat e kaluara nuk ka pasur kosnensus të mjaftueshëm për ta miratuar rregulloren e Kuvendit, sepse rregullorja e punës e Kuvendit miratohet me 2/3 dhe kjo e ka vështirësuar”, thekson ai.

Se Kuvendi duhet të bëhet sa më parë me rregullore të re, thotë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, sipas të cilit, rregullorja aktuale ka nevojë për plotësim-ndryshim të tërësishëm.

Ai thotë për KosovaPress se rregullorja donë vetëm vullnet politik.

“Unë kosnideroj që është më shumë se e domosdoshme të ndryshojë rregullorja e Kuvendit, ka nevojë për plotësim ndryshim të tërësishëm. Ne e dimë që ka pasur shpesh gjatë seancave në mandatet e kaluara zbrazëtira, të cilat nuk i ka mbuluar rregullorja… Mendoj që duhet të miratohet këtë vit, edhe pse kjo është legjislatura e katërt që ka marrë në agjendë rregulloren dhe nuk ka mundur me dërgu deri në fund. Në vitin 2019, kam qenë unë kryetar i komisionit, e kemi kalu në lexim të parë, por nuk ka pasur vullnet politik. Rregullorja donë vetëm vullnet politik”, thotë ai.

Pak më skeptike për miratimin e rregullores së re del të jetë Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ajo thotë se përkundër deklarimeve të subjekteve politike se kanë për ta shtyrë përpara miratimin e rregullores së punës të Kuvendit, një gjë e tillë tash 10 vite nuk ka ndodhur.

“Edhe tash grupet parlamentare të gjitha e kanë deklaruar vullnetin e tyre për të miratuar rregullore këtë legjislaturë, mirëpo mbetet të shihet nëse do të ketë dakordim mes tyre në fund kur ajo të draftohet për përmbajtjen e rregullores”, thotë ajo.

Meqenëse është punuar 10 vite në të, Haxhiu thotë se draft-rregullorja ka pësuar shumë ndryshime në krahasim me rregulloren aktuale me të cilën punon Kuvendi.

Ajo bënë të ditur se pothuajse çdo kapitull ka ndryshime, diku ndryshime të mëdha, e diku ndryshime teknike.

“Një prej risive që është propozuar në Rregulloren e re, është një trup e re Kuvendit, e cila është emërtuar si ‘konferenca e kryetarëve’, kjo është marrë model nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe është pak a shumë një formalizim i asaj se si punon kryesia, se si vendoset për seancat plenare, ku edhe shefat e grupeve parlamentare kanë mundësi për vendimmarrje, që aktualisht nuk e kanë. Më së shumti kundërshtime ka pasur në këtë pikë. Grupet më të vogla e kanë përkrahur, të tjera kanë kundërshtuar. Mbetet të shihet tash sesi do të procedohet tutje, ajo vazhdon në mbes në draftin që ka qenë në legjislaturat e kaluara”, thotë ajo.

Ndër ndryshimet tjera që parasheh draft-rregullorja, Haxhiu numëron edhe risitë tek procesi legjislativ, ku është ndryshuar pjesa e procedurës së përshpejtuar të ligjeve, duke përcaktuar afatin se kur mund të ndodh kjo; ndarja e procedurës për shqyrtimin e buxhetit nga ligjet tjera, që sipas saj është mëse e nevojshme si dhe, ndryshimet tek pjesa e seancave, ku sipas këtyre ndryshimeve prioritet të lirohet nga ngarkesa e pyetjeve parlamentare seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.