Miftaraj: Refuzimi i Kurtit për takim me Vuçiqin në Bruksel, qortim publik për BE-në

22
miftaraj:-refuzimi-i-kurtit-per-takim-me-vuciqin-ne-bruksel,-qortim-publik-per-be-ne

Deklaratën e kryeministrit Kurti e ka komentuar për Telegrafin, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i cili ka thënë se ky qëndrim i Kurtit duhet të shërbejë si një qortim publik për Bashkimin Evropian lidhur me rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve.

Por, Miftaraj thotë se dialogu Kosovë-Serbi dhe takimi Kurti-Vuçiq në një të ardhme të afërt është i pashmangshëm.

“Sidoqoftë, duke marr për bazë formatin e dialogut dhe temat e ndjeshme që priten të jenë temë e diskutimit kërkojnë në radhë të parë seriozitet dhe trajtim të barabartë të palëve nga ana e Lajçak, por edhe Borrell. Në këtë drejtim, caktimi i datës për një takim mes Kurtit dhe Vuçiq pa koordinim paraprak dhe të koordinuar mes dy shteteve, sjell në situata të tilla ku Kosova e refuzon një qasje të tillë publikisht”, ka thënë ai.

Miftaraj pohon së në procese negociatore palët duhet të trajtohen barabartë.

“Në procese negociatore trajtimi i barabartë i palëve dhe komunikimi në publik është parakusht si në forme, dukje por edhe në komunikimin me publikun. Andaj, ky rast duhet të shërbej si një qortim publik për BE por edhe z. Lajçak lidhur me rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve”, shtoi ai.

Refuzimin e kryeministrit Kurti për një takim me presidentin serb Vuçiq në Bruksel, e ka komentuar kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, i cili tha sot se Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste.

“Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare”, ka thënë Molliqaj.

Më tej Molliqaj ka thënë se Kurti tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut. “Jo-jat e vogla vijnë pas pranimit të madh”, tha ai.

Ndryshe, Kurti ka thënë sot para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti më herët kishte deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet i parë ose i dytë.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”,tha Kurti.

Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.